Teksa na ndajnë 10 ditë nga mbyllja e fazës për hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, kryetarja e këtij institucioni Aida Hajnaj, ka dalë me një tjetër thirrje. Ditën e djeshme me anë të një mesazhi të bërë publik në faqen zyrtare të BKH, Hajnaj u ka bërë thirrje të gjithë atyre që do të aplikojnë për pozicionin e hetuesit në BKH.
Hajnaj shprehet se ata që vërtet e ndiejnë se janë më të mirët për ta kryer këtë punë duhet të aplikojnë. Kryetarja e BKH ka theksuar se BKH dhe hetuesit që do të përzgjidhen, do të godasin korrupsionin dhe krimin e organizuar. “Falënderoj kandidatët që kanë aplikuar deri në datën 18.09.2020.
Do të doja të ritheksoja edhe një herë që aplikimi për Pozicionin e Lirë të Punës për “Hetuesin” e BKH-së është një mundësi shumë e mirë për t`u zgjedhur si pjesë e ekipit të ri që do të punojë ngushtësisht dhe nën drejtimin e Prokurorëve të Posaçëm për të hetuar veprat penale në fushën e korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe do të garantojë një strukturë të pavarur nga çdo ndikim i paligjshëm, i brendshëm apo i jashtëm”, thuhet në njoftimin e BKH.
Po ashtu në këtë njoftim thuhet se SPAK u bën thirrje të gjithë kandidatëve që plotësojnë kriteret e vendosura që të aplikojnë. Po ashtu drejtuesja e BKH siguron aplikantët se procesi do të jetë i drejtë dhe transparent. “SPAK ju bën thirrje të gjithë kandidatëve ose kandidateve që demonstrojnë lidership, integritet, profesionalizëm dhe që plotësojnë kriteret e përcaktuara në Ligjin nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” të aplikojnë për këtë pozicion pune, para datës 29 shtator 2020.
Shkoni tek njoftimi për këtë pozicion të lirë pune në uebsite-in e BKH-së dhe ndiqni udhëzimet. Ju sigurojmë që procesi i përzgjedhjes do të jetë i drejtë, objektiv dhe transparent. Ne duam të përzgjedhim kandidatët/et më të mirë”, thuhet në faqen zyrtare të BKH.
Reagon ambasada amerikane
Mbi deklaratën e shefes së BKH, ka reaguar dhe ambasada amerikane. Ajo ka bërë një postim në rrjete sociale duke e bërë të qartë se politika do e ketë të pamundur të depërtojë në Byronë e Hetimit. “Aplikimet për hetuesit specialë të BKH-së do të qëndrojnë të hapura deri më 29 shtator.
Drejtoresha e BKH-së Hajnaj ka bërë një thirrje, duke ritheksuar që aplikimi për pozicionin e lirë të punës në BKH është një mundësi shumë e mirë për t`u zgjedhur si pjesë e ekipit të ri, që do të punojë ngushtësisht dhe nën drejtimin e Prokurorëve të Posaçëm për të hetuar veprat penale në fushën e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe do të garantojë një strukturë të pavarur nga çdo ndikim i paligjshëm, i brendshëm apo i jashtëm”, tha ambasada.
Përzgjedhja e hetuesit
Me datë 8 shtator të këtij viti, BKH ka bërë publik njoftimin për shpalljen e konkursit për pozicionin e hetuesit, ku mes të tjerash ka renditur dokumentacionet që duhet të ketë aplikanti si dhe ka sqaruar fazat e përzgjedhjes. Po ashtu BKH ka sqaruar dhe përgjegjësinë që ka hetuesi i këtij institucioni të ri në fushën e drejtësisë.
“Hetuesit e BKH-së kanë përgjegjësinë të kryejnë hetime penale nën drejtimin e Prokurorëve të Posaçëm dhe kanë statusin e oficerit të policisë gjyqësore. Sistemi i përzgjedhjes së hetuesve të BKH-së është një proces sfidues mendor dhe fizik, i përgatitur për të gjetur kandidatët më të aftë dhe me integritet.
Ata që janë të suksesshëm në procesin e përzgjedhjes do t’i bashkohen një skuadre elitë që mbështet prokurorët e Prokurorisë së Posaçme të cilët do të ndjekin dhe hetojnë veprat penale në fushën e korrupsionit dhe krimit të organizuar, objekt i Ligjit nr 95/2016”, thuhet në njoftimin e BKH. /ARBJONA ÇIBUKU