Avokati Spartak Ngjela ka reaguar për protestat, që janë duke zhvilluar banorët e zonës së Astirit, të cilët kundërshtojnë prishjen e banesave të tyre, në kuadër të zgjerimit dhe rehabilitimit të plotë të “Unazës së Re”.
Në një postim në rrjetet sociale Ngjela shkruan “Çfarë kërkojnë të revoltuarit e zonës së Astirit? Ata po kërkojnë dëmshpërblim për një pronë të paligjshme.”
“Cili është ligji që ua njeh dëmshpërblimin e shtetit? Nuk ka asnjë ligj. Atëherë më çfarë ligji do t’i kompensojë qeveria?
Po Saliu e gjithë të tjerët e dinë që nuk ka ligj për të shpërblyer pronën e paligjshme? Po kryeministri Rama pse nuk e informon shoqërinë e t’i thotë që nuk kam një ligj që të dëmshpërblejë pronën paligjëshme?
Është e qartë, si kryeministri aktual ashtu dhe opozita kërkojnë bashkë destabilizim, që të shpëtojnë gjënë e vjedhur.
Saliu e kompani, kur i dashka kaq shumë pronarët e paligjshëm, pse nuk çon ligjin përkatës për dëmshpërblim në parlament? Nuk e di Saliu që nuk ka dëmshpërblim për prishje nga shteti të pronave të paligjshme? Sigurisht që e di, por këta opozitarë kuptohet se po i nxisin qytetarët, jo për të drejtën, por për të krijuar destanilizim që t’i shpëtojnë procesit antikorrupsion”, – ka vazhduar avokati në postimin e tij.
Më tej Ngjela shkruan se shqiptarët jetojnë në një shtet që nuk i njeh ligjet, dhe një shoqëri që kërkon gjithmonë të shkelë ligjet.
“Por edhe një qeveri që nuk di të flasë në emër të ligjit. Kjo është gjendja e sotme, dhe nuk ka si të ishte ndryshe kur shqiptarët drejtohen nga njerëz të paditur dhe të korruptuar, që pikërisht për këtë, kuptohet se urrejnë shoqërinë që kanë marrë përsipër të qeverisin”, – përfundon ai në postimin e tij./ CNA.al