Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim një ish-kolegun e tyre në lidhje me vrasjen në ish-Bllok, ku mbeti i vdekur Fabian Gaxha dhe u plagosën Ervis Martinaj dhe Eljon Hato.
Bëhet fjalë për ish-policin me nofkën “Santiago”, i cili është shpallur në kërkim, sipas Report Tv. Santiago është kapur nga kamerat e sigurisë së lokalit ku ndodhi përplasja me armë. Sipas kamerave të sigurisë ai shihet teksa hyn dhe del nga lokali në momentin kur ndodhi krimi.
Pavarësisht përplasjes me armë, ish-polici Santiago del i qetë dhe i pashqetësuar nga lokali. Blutë e Tiranës po e kërkojnë atë për ta marrë në pyetje.
Për këtë ngjarje në kërkim janë edhe Ervin Mata, Mervjol Bilo dhe Fabjol Alushi, si persona të përfshirë në krim. Dyshohet se ata mund të jenë larguar nga Shqipëria.
Përplasja me armë në zonën e ish-Bllokut ndodhi më 4 Tetor.