Një ngjarje e rëndë ka tronditur banorët e kryeqytetit në zonën më të populluar të saj, atë të ish-Bllokut, mbrëmjen e kësaj të enjteje.
Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar atje rreth orës 21:50, ndërkohë që nga informacionet paraprake të policisë, bëhet e ditur se një person ka ndërruar jetë, identiteti i të cilit mbetet ende i panjohur por thuhet të ketë qenë shoqërues i Ervis Martinajt, i cili ka mbetur i plagosur së bashku me shtetasin Redi Popesku.
Të shtënat, që thuhet të kenë ndodhur në një dhomë “Prive” të lokalit “Monopol” pronë e Redi Popeskut në katin e dytë të një pallati shumëkatësh në zonë, kanë shkaktuar panik mes frekuentuesve të shumtë të jetës së orëve të vona në Tiranë.
Forca të shumta policie kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë ngritur pika të shumta kontrolli, ndërsa po punohet për rrethanat dhe identifikimin e kapjen e autorëve të ngjarjes.