Një person i armatosur i quajtur Salvador Ramos, 18-vjeç hapi zjarr në një shkollë fillore në qytetin e vogël të Uvalde, në Teksas, duke vrarë të paktën 19 fëmijë dhe dy të rritur, përpara se të qëllohej për vdekje nga oficerët e policisë.
Kjo ngjarje tragjike e ka shtyrë presidentin Amerikan Joe Biden t’u bëjë thirrje qytetarëve amerikanë që të bëjnë presion ndaj anëtarëve të Kongresit që të miratojnë ligje të arsyeshme për armët.
Në vazhdën e incidentit të tmerrshëm të ditës së sotme, Biden kërkoi që të ndërmerren veprime, por nuk ishte i qartë se çfarë veprimi do të ndërmerrte dhe as nuk bëri thirrje për një votim specifik në Kongres.
“Shpresoja që kur të bëhesha president nuk do të më duhej ta bëja përsëri këtë. Edhe një masakër tjetër. Uvalde, Teksas. Një shkollë fillore. Nxënës të bukur, të pafajshëm të klasave të dyta, treta dhe të katërta. Edhe sa fëmijë të vegjël, që kanë qenë dëshmitarë të asaj që ndodhi, do të shohin shokët duke iu vdekur, sikurse të ishte fushëbetejë”, tha Biden dukshëm i tronditur, duke folur për vdekjen e nxënësve në këtë masakër.
Gjatë një fjalimi nga Shtëpia e Bardhë, presidenti amerikan, Joe Biden, tha se ishte “lodhur” nga përgjigjet ndaj të shtënave në masë, duke bërë thirrje për kontroll të armëve.
Ai u kërkoi amerikanëve të luftonin ndjenjën e pafuqisë që mos të përballen me një sulm tjetër masiv.
“Si komb, ne duhet të pyesim se kur në emër të Zotit do të ngrihemi në lobimin për armët, kur në emër të Zotit do bëjmë atë që të gjithë e dimë se duhet bërë”, tha Biden dhe duke ngritur zërin vijoi: “Jam i sëmurë dhe i lodhur. Ne duhet të veprojmë. Dhe mos më thoni se nuk mund të kemi ndikim në këtë masakër”.