E bija e Ziver Veizit, Ana, vajza që u shndërrua në simbol të dhimbjes pas vrasjeve të 21 Janarit, ka akuzuar gjyqtarin Shkëlzen Selimi si vrasës përsëdyti të babait të saj.
Ajo ka folur për TCH, duke shprehur zhgënjimin, por dhe tronditjen e saj, nga mënyra se si u gjykuan katër vrasjet, përfshirë dhe vrasjen e babait të saj, duke u futur në analet e historisë së re shqiptare si një krim i pandëshkuar shtetëror.
Dhe duke përfituar nga vettingu, Ana Veizi, sot 18 vjeçe, gjendet e dyzuar mes shpresës se ai apo ata toga të zeza do të marrin ndëshkim, apo se do mundet t’i shpëtojnë gjykimit për krimin e vendimmarrjes ndaj një krimi ditën për diell.
“E kam ndjekur Vettingun, në fillim kisha shpresë se gjyqtarët që shkelën mbi kujtimin e babait tim do të gjykoheshin. Por kjo nuk po ndodh. Vettingu ecën shumë ngadalë dhe se kuptoj se si shumë gjyqtarë, së fundmi kam dëgjuar emrin e njërit prej tyre, Shkëlzen Selimit, si mund të flenë të qetë? A ka vetting për këtë gjyqtar dhe për të gjithë ata që ma vranë për së dyti babain”, tha e bija e Ziver Veizit, tashmë dhe simbol i mosndëshkimit të një krimi.