Strehimi i afganëve të cilëve u rrezikohet jeta nga talebanët është për aktivisten e shoqërisë civile Brizida Gjikondi një nga mësimet e mëdha që Shqipëria e vogël i dha botës.
Brizida tha se ky veprim i jep Shqipërisë vlera të mëdha në aspektin moral dhe po tregon vlerat e demokracisë dhe lirisë, ndërsa vetë Europa nuk ka një qëndrim të unifikuar për pranimin e refugjatëve.
“Shqipëria jonë e vogël i dha mësime të mëdha botës për të disatën herë. Nëse Gjermani apo vende të tjera të BE po evakuojnë personelin e tyre, Shqipëria hapi dyert e shtëpisë së saj për afganët e rrezikuar që besuan në vlerat e demokracisë, lirisë, emancipimit dhe u pozicionuan në krah të SHBA-së.
Kjo na jep vlera në aspektin moral. Në BE nuk ka një qëndrim të unifikuar për sa i përket kësaj çështje dhe është e turpshme që nuk pozicionohet hapur afganëve kur për 20 vite u përpos të eksportonte vlerat e saj atje”, tha Gjikondi
Për situatën politike në vend, ku javën që vjen pritet të bëhet publike dhe qeveria e re “Rama 3”, Gjikondi tha se Rama kërkon të lërë gjurmë në histori duke krijuar epokën e tij dhe për këtë beson se do të ketë ministra teknicien që të realizojnë ambiciet e tij.
“Rama do të sjelle teknicien pasi ka vizionin e tij për vendin dhe për të arritur ambiciet që ka. Rama raportin e ka me historinë do të krijoje “koha Rama” dhe epokën e tij. Për këtë qeveria do të jetë e përbërë nga njerëz që mendon se mund të zbatojnë ambiciet e tij”, tha aktivistja.