Departamenti i Shtetit të SHBA-së ka mbyllur website-in që informonte qytetarët për mundësinë e përzgjedhjes së gjinisë alternative në pasaportat amerikane.
Ky veprim ndodhi vetëm një ditë pasi presidenti Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që njeh vetëm dy gjini, mashkull dhe femër, duke përjashtuar njohjen zyrtare të personave transgjinorë.
Faqja e internetit informonte qytetarët se ata mund të zgjidhnin një nga tre opsionet për shënuesin gjinor në pasaportat e tyre: mashkull (M), femër (F), ose një identitet të papërcaktuar ose alternativ (X).
Në njoftim theksohej se aplikantët nuk kishin nevojë të paraqisnin dokumentacion mjekësor për të ndryshuar shënuesin gjinor.
Tani, faqja në fjalë ridrejton përdoruesit në një seksion të përgjithshëm për informacionin mbi nxjerrjen e pasaportave.
Në urdhrin ekzekutiv të firmosur në ditën e parë në detyrë, Trump deklaroi se qeveria federale do të njohë vetëm dy gjini mashkull dhe femër duke argumentuar se këto gjini janë të pandryshueshme dhe bazohen në realitetin themelor dhe të pakundërshtueshëm.