Teksa krimi në Shqipëri herë merr “krahë” dhe shpesh merr goditje fatale, nuk po ndodh kështu me korrupsionin, i cili është kthyer nga fenomen, në sistem, pasi pas tij, fshihen politikanë dhe zyrtarë të rangut të lartë. Njëri prej zyrtarëve dhe politikanëve shqiptarë që është lakuar më shumë se është i korruptuar, është presidenti në ikje, Ilir Meta.
Emri i këtij të fundit shfaqet dhe përmendet kudo, ku ka afera korruptive, por edhe ngjarje me sfond kriminal, të cilat janë konsumuar gjatë këtyre 30 vitesh demokraci. Mirëpo edhe pse kanë kaluar kaq shumë vite, Metës nuk i ka hyrë asnjë gjemb në këmbë, duke bërë që ai të mbretërojë i qetë në arenën politike shqiptare.
Sot që flasim ndaj Metës janë hedhur akuza të fora, ku vetëm në harkun kohor të 10 ditëve, ai është akuzuara se ka paguar vrasjen e ish-deputetit të Partisë Socialiste, Arben Ndoka dhe ndërkohë është kallëzuar në SPAK nga ish-deputeti Halit Valteri për korrupsionin dhe pastrim parash, referuar aferës 700 mijë euro të publikuar dhe denoncuar nga një gazetë austriake. Pra, pavarësisht akuzave të hedhur ndaj tij nga persona të ndryshëm, Meta nuk është thirrur asnjëherë nga drejtësi sa për t’u pyetur, e jo më të nisin hetimit ndaj tij, për një çështje të caktuar.
Nga Presidenca në SPAK
Por gjërat duket se nuk do të shkojnë në favor të Ilir Metës, pasi ai të zhveshë kostumin e Kreut të Shtetit. Kjo pasi më 25 korrik ai do të jetë një qytetar dhe nuk do të gëzojë imunitet politik, siç e ka pasur në këto 30 vite demokraci, duke qenë kryeministër, ministër, deputet dhe sëfundmi President i Shqipërisë. Pas 24 korrikut, Meta do jetë vetëm një ish-deputet dhe maksimum kryetar i një partie të re ose Lëvizjes Socialiste Për Integrim, ofiqe këto që nuk e pengojnë SPAK që të trokasë tek vila e Ilir Metës në Lalëz për t’i kërkura llogari.
Gjatë këtyre viteve Meta është akuzuara edhe se ka urdhëruar vrasjen e dëshmitarëve të aferës CEZ-DIA, sikundër pretendon juristi Romeo Kara. Ndërkohë që ndaj tij, ka edhe akuza se është përfshirë në korrupsion galopant, siç është vjedhja e floririt të Krrabës. Për të gjitha këto, akuza duket se Meta tashmë do të japë llogari para prokurorëve të Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Thënë troç, nga Presidenca, ai pritet të përfundojnë në dyert e në SPAK, teksa akuzat e rënda për vrasje dhe pastrim parash, pritet të rrezikojnë seriozisht pozitat e Ilir Metës pas 24 Korrikut.
Pasuria, pika e dobët e Metës
Megjithatë Meta rrezikon që të ketë të njëjtin fat edhe si ish-homologët e tij kroat dhe Maqedonas. Nëse shohim Maqedoninë e Veriut apo Kroacinë, ish-kryeministrat atje (Ivo Sander dhe Nikola Gruevski), kishin deklaruar pasuri të ulët. Por nga hetimet rezultoi se kishin miliona euro pasuri të padeklaruar. Mirëpo në rastin e presidentit tonë letrat janë sheshit.
Meta rezulton ndër politikanët më të pasur. Bashkëshortja e tij ka deklaruar plot 13 apartamente. Të tre fëmijët i shkollon në Londër, ndërkohë ka vilë në Gjirin e Lalëzit që nuk dihet vlera, si dhe apartamente të tjera në Tiranë. Pra duket se pasuria do të jetë një nga pikat e dobëta të presidentit, e cila mund ta fundosë kur të mbyllë mandatin.
Shkollimi fëmijëve të presidentit duket se është temë më vete. Nëse shohim deklarimet ndër vite të pasurisë të zonjës Kryemadhi, e sidomos ato të vitit 2017, rezulton se kryetarja e LSI dhe presidenti Meta shpenzojnë 140 mijë paund ose 160 mijë euro për të shkolluar fëmijët në Londër. Nga ana tjetër presidenti e Zonja e Parë përbetohen për mjerim në Shqipëri dhe qajnë hallin e shqiptarëve. Nëse marrim rastin e Adriatik Llallës, ndaj tij u hetuan shpenzimet për shkollimin e fëmijëve në Gjermani. Pra duket se SPAK do ketë shumë ushqim pas 25 Korrikut.