Zyra e Presidentit të Republikës pas disa deklaratave populiste rreth problemit të banorëve të Unazës së Re dhe takimit me ta, më në fund bëri një deklaratë të qartë që prek një problem ligjor të rëndësishëm në Shqipëri. Dhe kjo ka të bëjë me dështimin e tenderit të Unazës së Re, për shkak të kompanisë me letra fallco.
Zyra e Presidentit gjen si problem faktin, që kompania duhet të paguajë dëmin e shkaktuar nga garancia e dhënë për tenderin, për sigurimin e ofertës.
Problemi që ngre zyra e Presidentit është i drejtë, por nuk ka lidhje me problemin e banorëve të Unazës së Re. Mënyra se si do të bëhet tenderi, sa i rregullt është ai, dhe si duhen ndjekur hapat ligjorë kundër manipulimeve, janë probleme ligjore dhe shpronësimi i banorëve për t’i hapur rrugën “Unazës së Re” janë një gjë tjetër që lidhet me hallin e banorëve.
Presidenti në fakt është duke u tallur me banorët kur flet për këtë gjë, pasi banorët nuk kanë problem kush merr tenderin, por çdo bëhet me shtëpitë e tyre. Për ata që marrin tenderat është e shqetësuar vetëm LSI dhe Luli që i kanë dhënë lotin më të vogël.
Por meqë Presidenti më në fund gjeti një argument ligjor për të justifikuar protagonizmin politik në këtë histori duhet t’i japim të drejtë dhe duhet ta bëjmë këtë për çdo rast të ngjashëm.
Rasti më i frikshëm kur një kompani ka bërë garanci fallco për sigurimin e ofertës, ka qenë viti 2012, kur një konsorcium anonim që thoshte se vinte nga Azia e Largët, dha një ofertë 100 miliardë lekë për të blerë “Albpetrolin” dhe duhet të bënte një sigurim oferte, prej 85 milionë euro.
Ministria që drejtoi ankandin dhe pranoi garancinë fallco nga një bankë në Çikago, prej 85 milionë euro, ishte minisitri, e drejtuar nga LSI e zotit Meta.
Pas hapjes së letrave, dhe shpalljes zyrtare të fituesit, qeveria duhet të tërhiqte menjëherë shumën prej 10 për qind, që ishte mbi 80 milionë euro që nuk e tërhoqi dot, pasi garancia ishte fallco.
Fituesi fallco, që ishte në fakt Rezart Taçi, jo vetëm që nuk u penalizua por vazhdonte negociatat për lidhjen e kontratës, derisa e pa që nuk gjente dot lekët dhe e braktisi procesin pa asnjë reperkusion.
Dhe sot e kësaj dite, falë kësaj papërgjegjshmërie të Ministrisë që drejtonte partia e zotit Meta, nën qeverinë Berisha, shteti nuk ka marrë 85 milionë eurot që i takojnë.
Rasti që Meta përmend sot, nuk është i njëjtë, pasi bëhet fjalë për tender dhe jo për ankand, por ngjan si precedent tek fakti që sigurim i ofertës, është bërë për një kompani fantazëm.
Sot jemi ende në kohë që prokuroria dhe qeveria të kenë mundësi të verifikojnë sigurimin e ofertës dhe të mos i shkaktojnë ndonjë dëm shtetit shqiptar. Ndërkohë dëmi i shkaktuar në vitin 2012, është ende i pahetuar, i pambledhur dhe i pagjykuar.
Është rasti të mbështesim vullnetin e mirë të Presidentit që ta hapim këtë çështje dhe shteti t’i arkëtojë ato para. Janë dyfishi i parave që po prokurohen tek “Unaza e re”. Plot 85 milionë euro. Bëjmë dhe një Unazë tjetër me aq para.