Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike do të zhvillojë sot Kuvendin e radhës pas mbylljes së zgjedhjeve në degët e partisë. Sipas axhendës, ky kuvend do t’i nisë punimet në orën 10:00 në Pallatin e Kongreseve. Është planifikuar që të flasin 20 personalitete, themelues të PD, etj.
Më pas, në orën 14:00 do të kryhen zgjedhjet për Këshillin Kombëtar të partisë. Drejtoresha e Komunikimit të Grupit të Rithemelimit të PD, Floriana Garo publikoi listën me 420 kandidatë nga të cilët do të zgjidhen vetëm 120 anëtarë për Këshillin Kombëtar (në total do jenë 150 anëtarë, nga të cilët 30 do jenë kryetarë të degëve të zgjedhur, kjo është kërkesë e Grupit të Rithemelimit).
Për procesin e votimit, “Foltorja” nuk ka përcaktuar afat kohor. Më pas, Këshilli Kombëtar i ri do të zgjedhë Kryesinë që do të përbëhet me 28 anëtarë, sekretariatin dhe n/kryetarët. Po ashtu, është paralajmëruar dhe për ndryshimet e radhës në statutin e partisë më të madhe opozitare, të cilat janë propozuar nga baza.
Kryetari i ri në 21 ose 22 maj
Një tjetër vendim kryesor që pritet të marrë Kuvendi Kombëtar i PD është përcaktimi i datës së zgjedhjes së kryetarit të ri të partisë. Tre ditë më parë, ish-kryeministri Sali Berisha bëri me dije nga selia blu se do t’i propozohet Kuvendit data 21 ose 22 maj që demokratët të votojnë për liderin e ri të saj. Në një komunikim për mediat, Berisha pranoi se do të kandidojë sërish për postin e drejtuesit të PD. “Data që do t’i propozohet Kuvendit dhe do të jetë ose data 21 ose data 22 e majit, varet si i bie, e shtunë ose e diel. Sapo të vendos Kuvendi, unë pothuajse e kam shpallur kandidaturën dhe Kuvendi do të vendosë datën”, u shpreh ish-lideri historik i PD.
Kuvendi i 30 prillit, Berisha fton të gjithë deputetët e PD
Pavarësisht ndasive dhe krizës të krijuar brenda grupit parlamentar të PD, Komisioni i Rithemelimit fton të gjithë deputetët demokratë që të marrin pjesë në Kuvendin e sotëm. Në një mesazh të shpërndarë në media, “Foltorja” mirëpret çdo deputet të PD që të marrë pjesë në punimet e kuvendit në cilësinë e delegatit të partisë duke përfshirë kreun e komanduar të PD, Enkelejd Alibeajn, Sekretarin e Përgjithshëm Gazment Bardhin, n/kryetaren Jorida Tabaku, deputetin Lulzim Basha, etj. Ky është sinjal i qartë për bashkimin e partisë i dhënë nga ish-kryeministri Berisha. “I nderuar Deputet i Partisë Demokratike.
Nesër (sot), ditë e shtunë, datë 30 prill 2022 zhvillon punimet e Kuvendit Kombëtar të PD. Në bazë të Nenit 42 të Statutit të PD, ju jeni delegat në Kuvend. Kuvendi hap punimet në orën 10:00”, shkruhet në mesazhin e Grupit të Rithemelimit të PD.
Ish-deputetë, ish-ministra dhe figura publike në listën për Këshillin Kombëtar
Në listën e 420 kandidatëve për Këshillin Kombëtar të PD ka një përzierje të madhe të ish-pjesëtarëve të shtetit dhe partisë në kohën kur Berisha ishte kryeministër por dhe në periudhën që Lulzim Basha drejtoi selinë blu në vitet 2013-2022.
Po ashtu, kandidatë për Këshillin Kombëtar është listuar dhe dhëndri i liderit historik të PD, Jamarbër Malltezi. Në sy bie kandidimi i ish-deputetëve demokratë Myslim Murrizi dhe Rudina Hajdarit. Edhe pse Murrizi ka sulmuar prej vitesh Berishën dhe Bashën për drejtimin e gabuar të partisë, para pak ditësh, ai deklaroi në një studio televizive se vetë Berisha e telefonoi një mbrëmje duke i kërkuar rikthimin në parti dhe ai iu përgjigj pozitivisht kësaj ftese.
Hajdari u rikthye në selinë e PD për herë të parë që prej përjashtimit në 2019 nga partia. Ajo bëri me dije se Sali Berisha nuk duhet të zgjidhet kryetar i partisë pasi është “ofertë e vjetër”. Në listën në fjalë janë dhe ish-ministri i Punëve, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera, i cili kreu 1.8 vite burg për abuzim me fondin 30 milionë lekë të buxhetit të shtetit në qeverinë “Berisha 2”.
Një fakt interesant është se për Këshillin Kombëtar të PD garon dhe këngëtarja Bleona Qereti, e cila dje ka reaguar dhe ka “refuzuar” ftesën e Berishës.
Lista me emrat më të njohur të kandidatëve për Këshill
Ndër personazhet e tjera publike që janë regjistruar në listën me 420 pretendentë për vend në Këshillin Kombëtar janë Adriana Kalaja, Agron Kuliçaj, Arben Imami, Aldo Bumçi, Aleksandër Biberaj, Albina Deda, Akil Kraja, Arben Ristani, Apollon Baçe, Artan Pogoni, Bardh Spahia, Ivi Kaso, Indrit Hoxha, Ledina Mandia, Spiro Ksera, Florion Mima, Myslim Murrizi, Klevis Balliu, Rudina Hajdari, Patrik Sadikaj, Silvi Bardhi, Laura Vorpsi, Endira Bushati, Robert Budina, Enno Bozdo, Edvin Kulluri, Edith Harxhi, Bledi Kasmi, Dasho Aliko, Asllan Dogjani, Bujar Kapexhiu, Dashamir Tahiri, Besnik Aliaj, Floriana Garo, Kastriot Çipi, Julian Deda, Genc Deromemaj, Strazimiri, Pollo, Glauk Olldashi, Grigels Muçollari, Liljana Elmazi, Lisandër Hoxha, Lulzim Vrana, Osman Mula, Nadire Meçorapja, Ndriçim Mehmeti, Ndriçim Babasi, Mimoza Hajdarmataj, Salvador Kaçaj, Sami Neza, Suzana Guxholli, Voltana Ademi, Elton Bano, Lulzim Vrana, Shaqir Manjani, Fatbardh Kadilli, Jamarbër Malltezi, Ibsen Elezi, Hekuran Xhani, Ilir Alimehmeti, Premtim Kryemadhi.