Nesër (e diel) ora do të ndryshojë sërish dhe do të shkojë 60 minuta para. Kështu ora 02.00 do të bëhet 03.00.
Në këtë mënyrë do të zgjohemi një orë më herët se gjatë këtyre 6 muajve kur ishim me orën diellore pasi kaluam 60 minuta pas në fund të tetorit.
Ndryshimi i orës do të bëjë që të përjetojmë ditë më të gjatë duke arritur në qershor deri në 17 orë me dritë dhe 7 orë në errësirë.
Deri në 2021, kur vendet e Bashkimit Europian të zgjedhin orën që mund të aplikojnë për vendin e tyre, ndërrimi i saj do të bëhet dy herë në vit.
Kështu, të dielën e fundit të marsit kalojmë me orën verore. Mëngjesin e 31 marsit, ora shkon 60 minuta para.
Pedagogia e astrofizikës, Mimoza Hafizi shpjegon se çfarë na ndodh me orën verore. “Ora avancon përpara dhe ne me regjimin tonë do të zgjohemi një orë më herët. Por trupi akomodohet shpejt dhe ne nuk do ta ndjejmë. Megjithatë, ne do të vëremë se dita do të zgjatet dhe nata do të vijë më vonë. Kjo është dhe kjo është mjaft e këndshme”, thotë Hafizi.
Debatet në vendet e Unionit për ndërrimin ose jo të orës dy herë në vit, pritet të rikthehen pas 2 vjetësh. Por astrofizikantia Hafizi thotë se Shqipëria për pozicionin, kushtet dhe turizmin ka më të përshtatshme orën verore.
Prej dekadash, vendet e Bashkimit Europian aplikojnë dy orë, atë të dimrit, që nis të dielën e fundit të tetorit dhe orën verore që kthehet të dielën e fundit të marsit. Krahas shteteve që e kanë përkrahur nismën e ndërmarrë për kursimin e energjisë elektrike, ka vende si Turqia e Rusia që kanë një orë vjetore.