Nga ceremonia e nisjes së punimeve për aeroportin ndërkombëtar të Vlorës, kryeministri Edi Rama nuk ka kursyer disa batuta për vlonjatët dhe padurimin e tyre.
Ai tha se po të ishte një ditë me diell vlonjatët do ishin në këtë ceremoni me mijëra, ndërsa shtoi se në darkë e di që do të marrë mesazhet e para nga ata që pyesin a do hapet aeroporti javën tjetër.
Kreu i qeverisë e përshtati shprehjen e famshme për Gjirokastrën, duke thënë se kur thua Vlorë nuk ke më çfarë thua.
“Faleminderit për praninë tuaj e me mundimin për të ardhur deri këtu me gjithë këtë vështirësi. E di që po të ishte një ditë me diell vlonjatët do të ishin këtu me mijëra mbase, por nuk ka asnjë problem, rendësi ka që na vunë më në fund në punë, tani na shikojnë nga televizori e unë jam i bindur që sot në darkë kur unë të jem duke u kthyer do filloj të marr mesazhet e para, “a do hapet aeroporti javën tjetër?”
Është fare normale sepse kësaj i thonë Vlorë për sa kohë është ajo kënga “kur thua Gjirokastër i ke thënë të gjitha”, por është dhe një këngë tjetër që unë e kam mësuar ta këndoj me vete edhe pse nuk është këngë popullore e njohur, që nëse kur thua Gjirokastër i ke thënë të tëra, kur thua Vlorë nuk ke më çfarë thua”, tha Rama në mbyllje të ceremonisë.