Nga Mero Baze
Sot dëgjova Sali Berishën që sulmoi ish- të persekutuarit politik, që sipas tij, kanë protestuar kundër qeverisë së PD, dhe që “nuk lëvizin as gishtin” tani që Berishës i ndodhi ky halli me SHBA.
Është një reflektim i sinqertë i Sali Berishës.
Dyshimet e tij se të persekutuarit politik nuk e kanë dashur kurrë dhe që shumicën e tyre i ka njollosur si bashkëpunëtorë të Sigurimit, sot i dolën në sipërfaqe në mënyrë të sinqertë. Dhe çfarë është më e keqja, ai i do ata në krah kundër SHBA.
Mu kujtua një episod i tij me Spartak Ngjelën në vitin 2000. Spartak Ngjela ishte i sapo integruar në strukturat e PD, si sekretar për Marrëdhëniet me Publikun, ndërkohë që PD çdo natë me rreth 200 vetë protestonte në sheshin “Skënderbej”, “kundër guvernatorit amerikan që qeveriste Shqipërinë”. Është e njëjta histori si sot me ambasadoren Yuri Kim. Atëhere protestat zhvilloheshin kundër ambasadorit Limpreht.
Spartak Ngjela i dëgjoi i terrorizuar dhe më tha se duhet të shkonim bashkë tek Sali Berisha, ti thoshte që ky është një skandal.
Sali Berisha e priti me qetësi dhe bëri të paditurin.
Protestat i organizonte Dega e Tiranës dhe Berisha ja hodhi fajin Vili Minarollit.
-I bën ai, tha. Është shumë gabim. Do flas me të.
-Dëgjo Doktor, i tha Ngjela. Që të jemi të qartë. Unë kam bërë 15 vite burg që ky vend të qeveriset nga ambasadori amerikan dhe jo nga ambasadori sovjetik. I bën Vili, i bën ti, zgjidhe këtë punë, se do nxehen këta shokët e burgut dhe do ta këpusin gjëkundi atë Vilin dhe pastaj unë nuk të dal në protesta të bërtas” “Vili, Vili, ti je gjallë”.
U krijua një situatë e rëndë, që Berisha tentoi ta kalojë me një buzëqeshje të lehtë duke bërë gjeste me duar për të thënë “iku kjo punë tani. Nuk e bën më”.
Sot Sali Berishës i ka dalë nga shpirti kjo puna e ish- të burgosurve politikë, që nuk e mbështesin kundër SHBA. I duket çudi e madhe se si një njeri që në kohën që ata rrinin në qelitë e Spaçit, vizitonte Enver Hoxhën në shtëpi, tani duhet të ketë mbështetjen e tyre kundër SHBA.
D.m.th ai po fton ish- të persëkutuarit të braktisin arsyen përse ata kanë shkuar në burg si idhtarë të Perëndimit dhe t’i bashkohen një njeriu që do të rithemelojë PD-në si parti anti-perëndimore. Dhe jam i sigurtë që në ditët në vazhdim, do të kapë ndonjë ish- të persektuar, ta nxjerrë në tribune, t’i fusë dhe ai një të sharë SHBA-së.
Ky është zhgënimi i parë i madh i Berishës. Zhgënjimi i tij i dytë do të vijë muaj më vonë, kur të mbetet i vetëm nga lëvizja e tij paralele me PD-në zyrtare, dhe kur njerëzit e manipuluar nga ai kundër Lulzim Bashës, të kuptojnë se thjesht janë përdorur në një garnizon politik anti-amerikan.
Në fund po përpiqet të nxjerrë SHBA dhe si armike të madh të kombit shqiptar, duke u hequr si viktimë e SHBA, ngaqë është patriot. D.m.th vendi që ka themeluar shtetin e ri shqiptar në 1919 dhe Kosovën më 1999, qenka armik i Shqipërisë, ndërsa Sali Berisha me grua nga Beogradi, qenka patriot, ndaj e sulmon SHBA.
Njeriu kur është në hall çfarë nuk thotë, por ky në fakt ngaqë gënjen gjithmonë, kur është në hall ndodh të jetë i sinqertë. Sot dukej qartë që ishte gati t’i rifuste në burgje ata që kanë qenë një herë në burgje për SHBA.