Në Kuvend, Presidencë, Kryeministri, në çdo ministri, drejtori qendrore, bashki, prefektura, kompani shtetërore, polici e institucione drejtësie, administratat janë krijuar mbi rrjete të ngushta nepotike, prandaj ka shpërfillje e padrejtësi ndaj qytetarëve dhe korrupsion masiv.
P.sh., jo vetëm te Ministria e Ekonomi- Financa, por dhe në detyrën si Ministre Bujqësie, Anila Denaj ka nisur të krijojë kabinet e administratë qendrore me familjarë pushtetarësh, si këmbim qokash dhe siguri për të fshehur abuzimet.
Ministrja Anila Denaj, ka emëruar Drejtore Kabineti dhe Këshilltare për Politikat e Projektet Europiane të Zhvillimit Bujqësor-Blegtoral në Shqipëri, Solora Llatjan, bashkëshorten e Kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja.
Nuk ka asnjë informacion, nëse e emëruara drejtore kabineti dhe këshilltare ka apo jo arsim të lartë; dhe nëse ka, në faqen e Ministrisë së Bujqësisë, nuk thuhet për çfarë profili është diplomuar.
E vetmja gjë që dihet, është kjo: bashkëshortja e krye bashkiakut të Elbasanit, Gledian Llatja, ka punuar ca muaj si sekretare në kryeministri dhe pak kohë si këshilltare e ministres së Arsimit Evis Kushi, për çështjet e integrimit shkencor të studentëve.
Ndërsa tani, për t’i gjetur një vend pune në qeveri, me rehati e pagë të lartë, ministrja Anila Denaj e ka emëruar Drejtore Kabineti dhe Këshilltare për Politikat e Projektet Europiane të Zhvillimit Bujqësor-Blegtoral në Shqipëri.
Mund të thuhet, se edhe kjo është përzgjedhur me konkurs, por nuk është rastësi, që për çdo vend pune në administratën qeveritare, “fitues” janë familjarë të pushtetarëve e të lidhur me ta, të cilët mjafton të kenë një karton universiteti dhe certifikata fiktive të marra te OJF-të e njeri-tjetrit.
Edhe rasti i bashkëshortes së krye bashkiakut të Elbasanit, tregon se “Rilindja” në çdo nivel, është pushtet me bashkëshortë, fëmijë, dhëndurë, nuse, vëllezër, motra, nipër, mbesa, baxhanakë, krushq e dashnorë të njëri-tjetrit që vjedhin bashkërisht
Ndoshta, ky është kriteri te paketa e kushteve për Reformimin e Administratës Publike, që Këshilli i Europës na ka vendosur për integrimin në BE./Pamfleti