Me 27 Dhjetor u mbushen 9 vjet që është ndarë nga jeta aktori Petraq Xhillari. Nderim dhe respekt për figurën e tij!
Petraq Xhillari (1943-2014).
Aktor. Lindi në Përmet, më 11 qershor. Mbaroi shkollën e lartë për aktor “Aleksandër Moisiu”, më 1965. Në vitin 1971 filloi punë në Teatrin Popullor. Vijoi aty deri në vitin 1994, kur ngriti të parin teatër privat në Shqipëri pas viteve 90, të cilin e quajti Kafe Teatër, por që nuk mundi ta mbajë gjatë për mungesë financimi.
Ka qenë nga aktorët e spikatur të ashtuquajtur të “roleve të vogla”. Interpretoi mjaft role të dyta dhe episodike, duke ravjiëzuar karaktere interesante. Loja e tij u shqua për dinamikën dhe energjinë, e shoqëruar nga një gjest ekspresiv dhe menyrë sjelljeje e besueshme, gati natyrale, sikurse u vu re në shfaqjet: “Arturo Ui”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Nën dritat e skenës”, “Përmbytja e madhe”, “Komunistët”, “Lulet e shegës”, “Furrnalta”, “Përballë vetes”, “Monserati”, “Prometeu” etj.
Petraq Xhillari ka qenë i parapëlqyer edhe në kinematografi, ku ka interpretuar 16 role, si në filmat: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Njeriu me top”, “Gjeneral Gramafoni”, “I treti”, “Nga mesi i errësirës”, “Mysafiri”, “Skëterrë 43”, “Intendenti”, “Vëllezer dhe shokë”, “Si gjithë të tjerët”, “Agimet e stinës së madhe”, “Nëntori i dytë”, “Gjurmë në dëborë”, “Tre vetë kapërcejnë malin”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur” “Jeta në duart e tjetrit”. Ndahet nga jeta në vitin 2014 në moshën 71-vjeçare.