Një rreshter në pension, që i kalon çastet e tij duke ndihmuar “dëshmitarin e së kaluarës së trazuar shqiptare”.
Për Neim Shehajn, dita nis me riparimin e një nëndetëseje të epokës sovjetike, e cila po ndryshket duke u gjendur gjysmë e zhytur në një bazë detare të Adriatikut.
Fati i nëndetëses së Luftës së Ftohtë në bazën Pashaliman – nga ku Moska dikur shpresonte të kontrollonte Mesdheun – varet në fije të perit, pasi autoritetet mbeten ende të pavendosura se çfarë duhet të bëjnë.
Shehaj, në një rrëfim për Agjencinë Franceze të Shtypit “AFP”, e ka cilësuar nëndetësen “një Kishë, ku ai falet”.
“Unë mbërrita këtu si një marinar i ri dhe tani jam thinjur”, i thotë AFP-së 63-vjeçari, i cili shërbeu aty plot tri dekada.
Ai ka një paralajmërim për të gjithë ata që kanë sy e veshë: të shohin e të dëgjojnë.
“Nëse nëndetësja nuk nxirret së shpejti nga deti, ajo rrezikon të zhytet në thellësi dhe së bashku me të e gjithë historia që mban mbi supe”.
Kjo anije ishte pjesë e të ashtuquajturit “Projekti 613”, i përbërë nga nëndetëset e para që ndërtoi Bashkimi Sovjetik pas Luftës së Dytë Botërore.
Ajo është e vetmja e mbetur nga 12 “shoqet e saj” që Moska vendosi në bazën e Pashalimanit në Gjirin e Vlorës në fund të viteve 1950, kur Shqipëria dhe BRSS-ja ishin ende aleate të ngushta.
Ish-komandantit të nëndetëseve, Jak Gjergji, i kujtohet fjala e liderit sovjetik, Nikita Hrushovi, në vitin 1959 gjatë një vizite në bazë.
“Prej andej mund të kontrolloja Mesdheun deri në Gjibraltar”.
Hrushovi shpresonte të instalonte raketa me rreze të gjatë veprimi, anije luftarake dhe një aeroport në bazën në jugperëndim të Shqipërisë.
“Por diktatori komunist paranojak i Shqipërisë, Enver Hoxha, përfundimisht ndërpreu lidhjet e ngushta me BRSS-në, duke akuzuar Moskën për devijime nga marksizmi i vërtetë”, shkruan AFP.
Ky ishte momenti kur rrjedha e ngjarjeve mori të tatëpjetën.
“Marinarët nga të dyja vendet nuk flisnin më me njëri-tjetrin dhe incidentet ishin të shpeshta”, kujton 87-vjeçari Gjergji.
“Kur një marinar rus donte të ngrinte me çekiç e drapër flamurin e kuq, një shqiptar e grisi menjëherë me inat”.
Kështu, pas ndarjes së vitit 1961 mes Tiranës dhe Moskës, kjo e fundit tërhoqi tetë nëndetëse.
Por, historia vijonte në rrjedhën e saj.
Në vitin 1997, pothuajse një dekadë pas rënies së komunizmit, ndërsa trazirat përfshinë Shqipërinë pasi u shembën disa skema piramidale, baza u plaçkit dhe nëndetëseve iu hoqën armët, motorët, madje edhe shtretërit e marinarëve.
Autoritetet çmontuan tre nga katër nëndetëset e mbetura, të cilat i shitën për metal në vitin 2009.
Vetëm një mbijetoi dhe kjo falë literaturës.
Shkrimtari i famshëm shqiptar, Ismail Kadare, në romanin e tij të vitit 1973 “Dimri i vetmisë së madhe”, për shkëputjen mes Moskës dhe Tiranës, e quajti nëndetësen numrin 105.
“Ky është numri i vetëm që më erdhi ndër mend teksa po shkruaja”, tha Kadare për AFP-në.
Që atëherë, nëndetësja njihet me këtë numër. Edhe falë këtij numri, sot është e gjallë.
Nëpërmjet librit, fama historike dhe rëndësia kulturore e saj mori vlerë simbolike.
Fama e saj u çimentua më tej, kur u realizua një film i bazuar në roman, për të cilin numri 105 u pikturua në nëndetëse dhe ekziston ende.
Por mbijetesa e saj varet kryesisht nga vendosmëria e Shehajt, i cili prej vitesh ka rinovuar nëndetësen 76 metra, rrjetin e saj elektrik, sistemin e ventilimit, postën e komandës dhe dhomën e silurëve.
Ai kujdeset për detajet më të vogla, ndërkohë që mbush vrimat në byk për të ndaluar nëndetësen të fundoset përgjithmonë.
“Autoritetet duhet të vendosin shpejt se çfarë të bëjnë me të, rreziqet janë të mëdha, uji i detit përshpejton ndjeshëm korrozionin”, paralajmëron 63-vjeçari.
Ministria e Kulturës, e cila u zotua për vite me radhë për të restauruar nëndetësen, i tha AFP-së se do ta “përcillte dosjen” në Ministrinë e Mbrojtjes, e cila mund ta përfshijë atë në një muze të ardhshëm të Luftës së Ftohtë.(Albaniapost)