Prokuroria e Krimeve të Rënda ka sekuestruar 31 prona në emër të vëllezërve Habilaj në Vlorë në kuadër të ligjit antimafia, pasi janë nën hetim për trafik droge në Itali dhe në Shqipëri. Pronat që janë sekuestruar janë të familjes Habilaj, përkatësisht; Ciko, Moisi, Artan dhe Florian Habilajt, por edhe të Fatmir Minajt dhe personave të tjerë që dyshohet se janë të implikuar në trafikun e drogës.
Me urdhër të prokurorisë janë sekuestruar, apartamente, ndërtesa, garazhe, truall, njësi shërbimi, makina dhe pasuri të tjera. Prokuroria ka sekuestruar; 10 apartamente, 4 ndërtesa, 6 makina, mes tyre Audi “AA900NF”, 1 garazh, truall mijëra euro dhe shumë pasuri të tjera. Pronat janë sekuestruar me urdhër të prokurorëve; Vladimir Mara, Besim Hajdarmataj, Arenc Cela, Gentian Osmani dhe Dritan Prenci.
Kërkesa është depozituar disa ditë më parë nga prokuroret ndërsa është firmosur para dy ditësh nga gjykata. Pasuritë dyshohet se vijnë nga aktiviteti kriminal. Sekuestro është preventive dhe në rast se do të ketë vendim fajësie do të konfiskohen, në të kundër do u kthehen pronarëve.
Ndërkohë që sekuestrot e para ndaj familjes Habilaj u vendosën në fund të tetorit të vitit të kaluar. Moisi Habilaj ndodhet i arrestuar në Itali, pasi u kap me një ngarkesë prej kanabisi 800 kg kanabisi në brigjet italiane vitin e kaluar. Grupi i drogës i udhëhequr nga Habilaj ishte në përgjim nga autoritetet italiane që nga viti 2013, të cilët kanë dokumentuar prova të shumta për implikimin e Habilajve në rrjetin e trafikut të drogës Shqipëri-Itali nga i cili, sipas drejtësisë italiane, ata përfituar 20 milionë euro.
Koka e grupit, Moisi Habilajt ndodhet në burg në Itali me disa anëtarë të tjerë të banës, ndërsa Nazer Seiti, që u ekstradua për këtë cështje nga Tirana në Itali u la në arrest shtëpie nga autoritetet e drejtësisë së vendit fqinj. Në kuadër të dosjes Habilaj Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë po heton edhe ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.