Klientë të ndryshëm e kishin denoncuar si fakt te komisioni për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, i cili bëri dhe verifikimet përkatëse, nga dokumentet e të cilit rezulton se Hotel “Plaza” përgjon e survejon në çdo cep të tij.
Madje thuhet se denoncime janë bërë dhe nga punonjës të këtij hoteli i cili ndodhet në qendër të Tiranës, të cilët janë ankuar se filmohen e regjistrohen gjatë kohës së punës, në biseda konfidenciale apo frekuentimin e mjediseve të këtij hoteli.
Sipas procesverbalit të datës 11.04. 2018, për faktet e dala, nga hetimi i kryer në hotel “Plaza Tirana sh.a”, rezulton se ky biznes, me frekuentim të personave e grupeve klientë “VIP”, ka instaluar sistem video-survejimi, të tipit “CCTV”, me kamera të thjeshta dhe cilësore “4K”, me rreze 360 gardë, të cilat vrojtojnë çdo skutë të mjedisit, brenda e deri në 300 metër distancë, jashtë hotelit.
Mbikëqyrja, nëpërmjet sistemit të video-survejimit (CCTV), e ambienteve si palestra force, palestra aerobi, korridoret dhe mjediseve tjera të pushimit e qëndrimit, brenda dhe jashtë hotelit, përbën shkelje.
-Kontrolluesi (survejuesi) Hotel “Plaza”, nëpërmjet këtij rrjeti survejimi, mbledh dhe përpunon të dhëna “imazhe-video”, të klientëve e punonjësve të tij.
-Stafi i hotel “Plaza”, kryen dhe mbledhjen e të dhënave sensitive (grup gjaku) dhe kjo përbën shkelje të rëndë.
Pas zbulimit të këtij skandali, siç transmeton ‘Tch’, kryekomisioneri, Besnik Dervishi, ka urdhëruar pronarët e Hotel “Plaza Tirana sha.a”, të ndërpresin urgjent, veprimtarinë survejuese me filmime, video, fotografi e marrje grup gjaku, duke i lënë këtë ultimatum zyrtar:
-Hotel “Plaza Tirana”, të shkatërrojë të dhënat personale “imazhe video”, të punonjësve e klientëve, të grumbulluara nëpërmjet sistemit të video-survejimit (CCTV).
-Hotel “Plaza Tirana”, të shkatërroj, të dhënat “sensitive” (grup gjaku), që ka mbledhur për punonjësit dhe këdo tjetër.
-Brenda 15 ditëve, këto detyrime, të jenë realizuar, në të kundërt, do të veprohet me gjobë, ose me denoncim publik.