“Duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm”. Ky citim i raportuar nga “New York Times” në muajin maj, përmbledh në vetvete vetë dramën personale që po përjeton ish-shefi i stafit të senatorit Ted Cruz, loja e të cilit me rusët dhe katariotët i ka krijuar telashe të mëdha atij vetë dhe kompanisë së tij të lobimit, “Muzin Capitol Partnes”.
Ironikisht, ndonëse ka prova të qarta për lidhje të Muzin me nivelet më të larta të qeverisë ruse, si dhe për favorizimin e mundshëm të organizatave terroriste, ajo që mund ta çojë atë në burg fillimisht janë provat për evasion fiskal.
Historia e 500 mijë dollarëve të përfituara nga ana e PD, në këtë pikë mund të rezultojë shumë e dëmshme për Muzin, i cili në deklarimin paraprak në Departamentin e Drejtësisë (shih Foreign Agents Registration Act), në muajin mars (2017), deklaroi vetëm 25 mijë dollarë me prejardhje nga PD.
Në vijim, në muajin nëntor, jashtë afateve të deklarimit, ai korrigjoi vetdeklarimin, duke treguar se kishte përfituar në të vërtetë 500 mijë dollarë, për të bërë fushatë për llogari të PD.
Megjithatë, shuma nuk u pagua nga PD, por nga “Biniatta Trade”, një kompani fantazmë, që përdori fonde të depozituara në parajsat fiskale, nga pronarë rusë, njëri prej të cilëve, një oligark me lidhje të provuara me Kremlinin zyrtar dhe i përfolur edhe në mediat amerikane, si i përfshirë në skandalin Deripaska-Manafort.
Në këtë moment shumë delikat për Nick Muzin, si dhe kompaninë e tij të lobimit, Lulzim Basha është duke realizuar një vizitë zyrtare në SHBA, duke siguruar një ftesë të paparalajmëruar, për të qenë folës në një konferencë të mbajtur nga një institut (Hudson), në lidhje e sfidat kryesore të NATO-s në ditët e sotme.
Problemi që bashkon Bashën dhe Muzin në këtë moment është i njëjti. Prejardhja e fondeve të paguara për fushatën e PD nga rusët dhe mosdeklarimi i tyre në kohë, si dhe nevoja për t’u koordinuar për të prodhuar një alibi të besueshme.
Urgjenca për mbylljen e kësaj çështje është e dyanshme. Basha dëshiron të bëjë të heshtë një aferë që mund t’i kushtojë rëndë në karrierën e tij politike, teksa Muzin shpreson të “lehtësojë” barrën e provave që FBI pritet të paraqesë së shpejti në gjykatë, me shpresën se mund të negociojë me autoritetet për të qëndruar jashtë burgut.
Kjo vizitë e Bashës në Uashington vjen vetëm një muaj, pasi ai nënshkroi një kontratë të re lobimi, me një kompani tjetër, “Sonoran Policy Group”, e drejtuar nga Robin Townley, një ish-funksionar i lartë aktualisht nën hetim nga FBI për lidhjet e tij me Rusinë.
Kontrata e re, me vlerë 40 mijë dollarë, i paraprin arrestimit të mundshëm të Muzin, por edhe në këtë rast, Partia Demokratike duket se ka zgjedhur një tjetër person aktualisht nën hetim.
Ndonëse Partia Demokratike nuk është e vetmja forcë politike shqiptare e cila pajton lobues në Uashington, mbetet i pashpjegueshëm fakti që në çdo rast, kontratat e saj lidhen me persona të dyshuar nga drejtësia si agjentë rusë në SHBA.
Ndërkohë, investigimet e publikuara në mediat amerikane, implikojnë personat e përfshirë në aferat e lobimit të PD edhe me eksponentë të krimit të organizuar rus dhe persona të afërt të presidentit Putin, si oligarku Oleg Deripaska apo lobisti i diskretituar, Paul Manafort.