Ministri i Jashtëm i Greqisë Nikos Kotzias pas firmosjes së marrëveshjes me Shqipërinë për njohjen e patentave ka folur edhe për çështjet e vjetra mes dy vendeve që janë në tavolinën e negociatorëve. Kotzias u shpreh se kryeministri grek do të kishte ardhur në Shqipëri nëse nuk do të kishte dalë procedura mes Presidentit dhe qeverisë për autorizimin për plotfuqinë duke sjellë shtyrjen. E ndërsa u shpreh optimist për një marrëveshje për detin, Kotzias shtoi se me Shqipërinë po diskutohet edhe për kufirin tokësor, referuar identifikimit të piramidave.
Vizita e Tsipras në Tiranë do të ishte kryer nëse nuk do të kishin dalë çështje procedure mes presidentit dhe qeverisë. Bisedimet lidhur me zonat ekonomike janë më të mira. Kemi avancuar me bisedimet e para dhe besoj që do të kemi lajme të mira. Duam të kemi marrëveshje të drejtë, të bazuar në të drejtën ndërkombëtare. Do të kemi dhe një dekret presidencial për ligjin e luftës që është një skizofreni historike. Do të kemi edhe marrëveshjen mbi kufijtë e tokës lidhur me identifikimin e piramidave. Ne jemi për zgjidhje dhe duam të ketë një zgjidhje. Ndaj dhe po punojmë.
Nikos Kotzias
Ndërkohë që edhe Ministria e Jashtme Greke ka shpërndarë një postim në Twitter të Kotzias, ku shpreh sigurinë për një marrëveshje sipas konventave ndërkombëtare mes Shqipërisë dhe Greqisë përsa i përket kufirit detar mes dy vendeve. Ministri i Jashtëm grek foli edhe për kërkesën e deputetëve të Agimit të Artë dje, që Greqia të vendosë veto për të bllokuar integrimin e Shqipërisë në BE.
Një ditë më parë disa deputetë kërkuan që t’i vendosnim kushte Shqipërisë në mbështetje të rrugës së integrimit, por ne nuk mund ta bëjmë një gjë të tillë.
Nikos Kotzias
Sot Shqipëria firmosi marrëveshjen për njohjen e patentave me Greqinë, sipas ministrit grek deri në fillim të muajit qershor pritet që të arrihet dakordësia për kufirin detar dhe cështjet e tjera që janë pezull mes dy vendeve.
Postimi ne Twitter
Prononcimi i Nikos Kotzias per mediat greke