“Nuk mendoj që ne do të kthehemi mbrapa, por mendoj se do të vazhdojmë përpara me procesin e integrimit”.
Kështu deklaroi sot, pas kthimit nga Samiti i Sofjes, Kryeministri Edi Rama, i cili siguroi se do të vazhdoj të jetë këmbëngulës për të bindur të gjitha vendet anëtare të BE-së, për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian.
“Ne kemi hedhur një hap që është pa kthim mbrapa. Kam besim se në qershor ne nuk do të zmbrapsemi forcërisht me një vendim që do të jetë pa dritë. Se si do të jetë ky vendim dhe se në çfarë mënyre ne do të vazhdojmë përpara në këtë rrugë që kemi hyrë është diçka që do ta shohim në vijim”, tha Rama.
Ai theksoi se “parlamentarët europianë e çmojnë progresin në Shqipëri, janë shumë respektues për përpjekjen e qeverisë dhe kanë të gjithë durimin që të më dëgjojnë mua si përfaqësues i këtij vendi”.
“Unë do të vazhdoj të këmbëngul sepse nuk kemi asnjë opsion tjetër përveçse të këmbëngulim dhe të bëhemi të bezdisshëm që të merret ky vendim”, tha Rama.