Politikania e lartë për Sigurinë në Bashkimin Europian, Federica Mogherini thotë se do të jetë një vit intensiv për përgatitjet drejt hapjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë.
“Dua të jem e qartë: kjo mundësi duhet të kapet tani! Nuk është një lëshim që po bëjmë ne, është në interesin e qytetarëve europianë, brenda dhe jashtë Bashkimit Europian”, u shpreh Mogherini.
Sipas saj, në Ballkan, sot është më se e qartë se Bashkimi Europian është pikë reference.
“Më lejoni t’u them diçka edhe atyre që kanë frikën se fuqi të tjera po bëhen gjithnjë e më të pranishme në rajon, për sa kohë që ne të jemi të pranishëm në rajon, nuk ka hapësirë për të tjerë”, u shpreh Mogherini.
Deklarata e saj u bë duke folur këtë të hënë në konferencën e përvitshme të ambasadorëve të BE-së që largohen dhe ata që marrin detyrën.
Ajo tha gjithashtu se muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.