NGA ARBJONA ÇIBUKU
Drafti për reformën zgjedhore është dorëzuar ditën djeshme në Kuvend, ndërkohë që ka reaguar opozita e bashkuar ku kërkon që, drafti i 5 qershorit të mos ndryshojë. Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste i kanë bërë thirrje mazhorancës që të heqë dorë nga manovrat sa i takon reformës zgjedhore.
Përmes një deklaratë të përbashkët, opozita e bashkuar i ka kërkuar PS që t’i përmbahet angazhimit për miratimin e reformës zgjedhore pa asnjë ndryshim. Sipas opozitës, zbatimi sa më parë i ndryshimeve ligjore do të mundësonte jetësimin e garancive shtesë, përfshirë fillimin nga puna sa më parë të KQZ për implementimin e identifikimit biometrik. “Sot është përmbyllur kodifikimi me konsensus i Dakordësisë së 5 Qershorit për reformën zgjedhore, duke shënuar një kontribut real të opozitës për plotësimin e 1 nga 15 kushtet për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.
Opozita e Bashkuar kërkon miratimin pa vonesa të draftit të depozituar zyrtarisht në Kuvend, sipas Marrëveshjes Politike të 14 Janarit. Qeveria duhet t’i përmbahet angazhimit për miratimin e reformës zgjedhore pa asnjë ndryshim, duke hequr dorë nga manovrat apo provokimet, që do të minonin konsensusin e arritur midis forcave politike.
Zbatimi sa më parë i ndryshimeve ligjore do të mundësonte jetësimin e garancive shtesë, përfshirë fillimin nga puna sa më parë të KQZ për implementimin e identifikimit biometrik. Opozita e Bashkuar falënderon edhe njëherë partnerët ndërkombëtarë për ndihëm e çmuar që kanë dhënë gjatë procesit dhe për nxitjen e palëve politike drejt këtij konsensusi që i hap rrugë zgjedhjeve”, thuhet në deklaratën e opozitës së bashkuar.
Ndërkombëtarët thirrje për miratimin e zgjedhores
Ndërkohë që dje u dërgua në Kuvend drafti i reformës zgjedhore, ka ardhur reagim dhe nga ana e ndërkombëtarëve të cilët kërkojnë miratimin e kësaj reformë para pushimeve verore. Reforma zgjedhore është një nga pikat kryesore për pranimin e Shqipërisë në BE dhe përmbyllja e saj ka marrë vëmendjen e ndërkombëtarëve.
Dje reagoi ministri i Jashtëm italian, Luigi Di Maio, i cili i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD, Lulzim Basha që të miratojnë sa më shpejt reformën zgjedhore. Gjatë të dy bisedave telefonike ministri italian ka shprehur vlerësimin e tij për marrëveshjen e arritur deri tani nga forcat politike për reformën zgjedhore.
“Çështjet që ende duhen diskutuar janë të rëndësishme, por po kaq e rëndësishme është ruajtja e një fryme konstruktive si dhe të qënit të hapur për dialog. Miratimi i një ligji të ri zgjedhor konfirmon faktin se të dy palët mund të punojnë sëbashku për arritjen e objektivave të përbashkëta”, është shprehur Di Maio. Gjatë bisedës me Ramën ai ka nënvizuar gjithashtu rëndësinë për të vijuar me procesin e reformave, të cilat, sipas Di Maio duhet të jenë të përbashkëta dhe të kenë jetëgjatësi.
“Për Italinë mbetet një çështje kyçe puna për reformën në drejtësi, e cila duhet të realizohet plotësisht sa më shpejt. Realizimi i plotë i saj brenda një kohe të shkurtër është me rëndësi edhe për përmirësimin pasi do të ketë një impakt edhe në klimën e biznesit në Shqipëri”, është shprehur ministri italian. Ministri e përgëzoi gjithashtu edhe për mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian, çka dëshmon për seriozitetin dhe vendosmërinë e palës shqiptare në rrugën e përafrimit drejt Europës.