Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkuar në kryeqytetin e Sllovakisë, Bratislavë, për të marrë pjesë në një forum që organizohet atje.
Organizatori i forumit ka shpërndarë në rrjetet sociale fotografitë e Kurtit duke njoftuar për shkuarjen e tij atje:
“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbërritur në Forumin e Bratislavës. Do dëgjojmë nga ai më vonë në një bashkëbisedim, ku kryetemë është: E ardhmja e Kosovës”.
Pavarësisht situatës në Veri dhe tensioneve edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Kishinau të Republikës së Moldavisë ku pritet ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në samitin e dytë të Komunitetit Politik Evropian (EPC).
Lajmi për udhëtimin e Osmanit është bërë i ditur përmes një komunikate për media të lëshuar nga zyra e Presidencës.
“Presidentja Osmani do t’u bashkohet 46 krerëve të tjerë të shteteve të kontinentit evropian si dhe krerëve të institucioneve të BE-së, me qëllim të nxitjes së dialogut politik dhe forcimit të bashkëpunimit për t’i adresuar çështjet më urgjente të sigurisë dhe stabilitetit në Evropë”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, në komunikatë thuhet se krahas pjesëmarrjes në sesionet kryesore të Komunitetit Politik Evropian, presidentja Osmani do të zhvillojë edhe takime me liderë të tjerë evropianë.