Taulant Balla ka mbledhur dje në një takim kryetarët e PS në 61 bashkitë e vendit. Lajmi u bë i ditur nga selia rozë për mediat, ndërsa gazeta “SOT” ka zbardhur edhe detaje nga mbledhja e zhvilluar mes Ballës dhe 61 krerëve të degëve të Partisë Socialiste në rrethe.
Mësohet se theksi kryesor i diskutimit është ndalur tek analiza e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit dhe sidomos problematikat që reflektuan në rezultat, ku në disa zona Partia Socialiste të mos arrinte objektivin e vendosur nga kryeministri Edi Rama, regjistri digjital i PS, zgjedhjet në nivel vendor të partisë që do të zhvillohen gjatë vjeshtës, performanca e drejtuesve dhe zyrtarëve të administratës, si dhe skanimi i punës së ministrave dhe deputetëve të rinj e të vjetër.
Në shtator nis furtuna në administratë
Kështu sipas informacioneve, mësohet se kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste ka kërkuar nga krerët e degëve të PS që të mos qëndrojnë indiferentë, por të denoncojnë çdo padrejtësi dhe burokraci që ndodh në administratën shtetërore.
Madje, mësohet se duke qenë se ditët e fundit në vend ziejnë debatet se si zyrtarët punojnë, por edhe pas operacioneve të bujshme të Strukturës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ku kanë rënë në pranga, zv/ministra, gjyqtarë, prokurorë dhe krerë apo ish-krerë bashkish, mësohet se zoti Balla ua ka bërë të qartë se në shtator do të nisë një furtunë e madhe në administratë dhe se sipas tij, Partia Socialiste në asnjë rrethanë nuk do të kthehet në mburojë për shkelësit e ligjit në administratën vendor apo qendrore, pasi cilido që ka punë me drejtësinë do t’i duhet t’i dalë për zot vetes.
Kështu që, nisur nga këto zhvillime dhe objektivave të vendosura nga kryeministri Rama në mandatin e tretë administrata do të reformohet, numri 2 i PS ka kërkuar nga vartësit e tij në të 61 bashkitë e vendit që të mbledhin sa më shumë informacione për “parazitët” në administratë.
Nga ana tjetër dhe në kushtet kur ka zëra se shefi i qeverisë do të përmbushë qeverinë aktuale, ku shumë ministra rrezikojnë të mos jenë pjesë e qeverisë së re “Rama 3”, mësohet se zoti Balla ka kërkuar nga krerët e degëve të PS që të përshpejtojnë punën sa u takon raporteve, pasi gjetjet e tyre, për punën e ministrave dhe deputetëve para dhe gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, do të jenë pikë referimi për mënyrë se si zoti Rama do të ndërtojë ekzekutivin e ri.
Mësohet se kreu i grupit të Partisë Socialiste ka kërkuar që raportet për ato degë që nuk i kanë përmbyllur duhet t’i mbyllin sa më shpejt dhe të dorëzohen para mbajtjes së Asamblesë Kombëtare të PS, e cila pritet të thirret në fund të gushtit, nga ku dhe siç tashmë e ka bërë, traditë, kryeministri Edi Rama do të shpalosë programin dhe hedhë piketat e qeverisë së re “Rama 3” 2021-2025.
Po ashtu sikundër theksuan të njëjtat burime, në mbledhje u dhanë edhe direktivat për zgjedhjet e brendshme në Partinë Socialiste që do të zhvillohen gjatë vjeshtës. Megjithatë, mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht dhe se si do të ecë analiza brenda PS.