Nën kryeministrin Mitsotakis, Athina po kërkon në mënyrë agresive kthimin e antikiteteve që ajo thotë se i përkasin Greqisë, por kritikët shqetësohen për lëshimet që po bëhen dhe për llogaritjet politike pas tyre.
Nga Eleni Stamatoukou
Në përpjekjen e Greqisë për të rimarrë antikitetet e Partenonit, hapa dhe politika të gabuara
Partenoni, Greqi. Foto ilustruese: Wikimedia Commons.
Ishte në vitin 1982, gjatë një takimi me drejtorin e atëhershëm të Muzeut Britanik, Sir David Wilson, kur aktorja dhe ministrja greke e kulturës në atë kohë, Melina Mercouri, deklaroi “Dua të më kthehen antikitetet e mia”.
“Ju doni antikitetet tuaja dhe të tjerët duan antikitetet e tyre”, u përgjigj Wilson, duke nxjerrë në pah frikën pas refuzimit prej kohësh të Britanisë për t’i kthyer antikitetet e Partenonit në Athinë – se kjo do të hapte portat dhe, sipas fjalëve të Wilson, “do të shkatërronte Muzeun Britanik.”
Katër dekada më vonë, raportet e mediave ndërkombëtare thonë se një marrëveshje është – ose ishte – afër.
Duke folur për BBC më 16 shkurt, kryetari i Muzeut Britanik, George Osborn, një ish-ministër financash, tha se Mbretëria e Bashkuar po punon për një marrëveshje me Greqinë me anë të së cilës antikitetet mund të shihen si në Londër ashtu edhe në Athinë, duke e quajtur atë një situatë ku fitojnë të dyja palët.
Mbështetësit e përpjekjeve të qeverisë greke thonë se ajo po tregon kreativitet dhe vendosmëri në përpjekjen për të kthyer antikitetet që Athina thotë se me të drejtë i përkasin Greqisë, por kritikët janë skeptikë ndaj kushteve të raportuara të çdo marrëveshjeje Parthenoni – që sipas mediave përbën një marrëveshje huaje të kufizuar në kohë më shumë sesa një “kthim” të vërtetë – dhe më shumë për motivet e qeverisë me zgjedhjet parlamentare që priten në qershor.
“E gjithë kjo ka të bëjë me ankthin e qeverisë për të paraqitur një marrëveshje” përpara zgjedhjeve, tha Despina Koutsoubas, presidente e Shoqatës së Arkeologëve Grekë, SEA.
“Ky ankth ka çuar në një pengesë të konsiderueshme në betejën për kthimin e antikiteteve”, tha ajo për BIRN.
“Kurth shumë i rrezikshëm”
Antikitete të ekspozuara në Muzeun Britanik. Foto ilustruese: Wikipedia.
Antikitetet klasikë dikur ishin pjesë e një frize që dekoronte tempullin e Partenonit në Athinë, i ndërtuar 447-432 P.E.S., por ato u hoqën në fillim të shekullit të 19-të nga agjentët e diplomatit britanik Lord Elgin kur Athina ishte nën sundimin osman. Ato Iu shitën në 1816 qeverisë britanike dhe u vendosën në Muzeun Britanik.
Antikitetet e ekspozuara në Londër përbëjnë afërsisht gjysmën e dekorimit total skulpturor të Partenonit që mbijeton sot.
Qeveritë e njëpasnjëshme greke kanë kërkuar kthimin e tyre, duke thënë se janë hequr në mënyrë të paligjshme.
Britania thotë se ato u blenë në mënyrë të drejtë, por në fillim të vitit dolën raporte për negociata sekrete midis qeverisë greke dhe Muzeut Britanik për një hua të mundshme 20-vjeçare, ndoshta në këmbim të thesareve të tjera të lashta.
Disa në Athinë u zemëruan, duke akuzuar qeverinë – e udhëhequr nga Kyriakos Mitsotakis e partisë konservatore Demokracia e Re – për njohjen efektive të pretendimit të Britanisë për pronësinë ligjore të antikiteteve.
“Është e qartë se qeveria greke ka hyrë në një kurth shumë të rrezikshëm”, tha Koutsoubas.
Plani i ashpër? Stern blueprint?
Skulptura të Parteonit, Muzeu Britanik. Foto: Wikipedia.
Vitin e kaluar, qeveria greke arriti një marrëveshje – e negociuar gjithashtu në fshehtësi – për një koleksion tjetër antikitetesh që ajo tha se mund të sigurojë një plan për të tjera.
Sipas kësaj marrëveshjeje, Muzeu Metropolitan i Artit në Nju Jork do të jetë në gjendje të ekspozojë një koleksion antikitetesh cikladike të mbledhura nga biznesmeni dhe filantropisti amerikan Leonard Stern duke pranuar se artefaktet përfundimisht i përkasin shtetit grek, raportoi New York Times.
Pesëmbëdhjetë nga 161 figurat dhe enët kryesisht prej mermeri të krijuara mijëra vjet më parë në Cyclades, një grup ishujsh në brigjet greke, u ekspozuan në fund të vitit të kaluar në Muzeun privat të Artit Cikladik në Athinë. Ekspozita titullohet “Kthimi në shtëpi”, por në vitin 2024, këto vepra dhe të tjera nga koleksioni do të zhvendosen në Met për 25 vjet, megjithëse pas 10 viteve të para disa skulptura do të ekspozohen në Greqi në këmbim të antikiteteve të tjera të huazuara.
Stern ia dhuroi koleksionin Institutit të Kulturës së Lashtë Helenike, një organizatë jofitimprurëse me bazë në Delauer, i cili drejtohet nga një bord, kryetari dhe shumica e anëtarëve të të cilit emërohen nga muzeu cikladik, i cili nga ana tjetër mbikëqyret nga ministria greke e kulturës.
Një marrëveshje e nënshkruar më 21 korrik 2022 midis ministrisë, muzeut cikladik, Met dhe Institutit të Kulturës së Lashtë Helenike, HACI, dhe e miratuar nga parlamenti grek shtatorin vijues përfshin një rresht që thotë se të katër palët bien dakord se “Ligji Grek për Trashëgiminë parashikon që shteti grek është pronari i vetëm i Koleksionit”, ndërkohë që lejon posedimin e koleksionit nga HACI.
Nëse Greqia vendos në vitin 2049 të mos e zgjasë huan për 25 vjet të tjera, pjesa e koleksionit ende në Met do t’i kthehet HACI-t dhe do të dërgohet në Greqi për t’u ekspozuar.
Duke hapur rrugën për marrëveshjen, qeveria nën drejtimin e Mitsotakis ndryshoi ligjin në vitin 2020 për të lejuar huazimin e antikiteteve në muzët e huaj për 25 vjet me mundësinë e një zgjatjeje prej pesë vjetësh, nga 5+5 që ishte fillimisht.
Në hapjen e ekspozitës cikladike, Mitsotakis tha: “Ne po hapim rrugën për riatdhesimin e pjesëve të tjera të vlefshme të trashëgimisë sonë kulturore”, por nuk përmendi specifikisht antikitetet e Partenonit.
Arkeologë grekë, politikanë të opozitës dhe media kanë pretenduar se të paktën një nga antikitetet cikladike ishte kontrabanduar nga Greqia, por ministrja greke e kulturës Lina Mendoni tha në një fjalim në shtator se ministria e saj nuk kishte prova se objektet në koleksionin Stern ishin eksportuar ilegalisht.
Sipas një marrëveshjeje tjetër vitin e kaluar, Muzeu Salinas në Palermo, Itali, ra dakord për një hua tetë-vjeçare me Muzeun e Akropolit të Greqisë të të ashtuquajturit fragment Fagan, pjesë e skulpturës së perëndeshës Artemis nga frizi lindor i Partenonit.
Kritikët thonë se marrëveshje të tilla janë të mbushura me rrezik.
“Ky zhvillim me hua është katastrofik për pretendimet greke, sepse kur pranon karakterizimin e një huaje, pranon se nuk ke të drejtë prone dhe pronësie”, tha Nikos Xydakis, gazetar, ish-ministër kulture dhe anëtar i partisë opozitare SYRIZA.
Greqisë i kërkohet të tregojë “durim historik”
Parteoni, Athinë. Foto: Wikimedia Commons.
Statusi i negociatave të Partenonit mbetet i paqartë.
Qeveria britanike ka pretendua prej kohësh se antikitetet janë një çështje e Muzeut Britanik; vitin e kaluar, duke iu përgjigjur një thirrjeje të UNESCO-s për “dialog bona fide” me Greqinë për një “zgjidhje të pranueshme reciprokisht”, qeveria e Boris Johnson propozoi një takim në nivelin e ministrave të kabinetit, por Johnson u rrëzua nga posti i kryeministrit muaj më vonë dhe takimi mbetet ende për t’u organizuar.
Në janar, Sekretarja e Kulturës në Mbretërinë e Bashkuar, Michelle Donelan, u duk se kundërshtoi bisedimet për një marrëveshje të afërt, kur i tha BBC-së se antikitetet “e kanë vendin këtu, në Mbretërinë e Bashkuar” dhe se dërgimi i tyre në Greqi do të “krijonte një situatë të komplikuar”.
Por i pyetur për një marrëveshje të mundshme huaje këtë muaj, Osborne, kryetar i Muzeut Britanik, i tha BBC-së: “Ne po flasim me qeverinë greke për këtë, për një marrëveshje të re dhe ajo që nuk doja të bëja është të detyroj grekët të pranojnë gjërat që ata i konsiderojnë të pamundura, dhe po ashtu ata nuk mund të na detyrojnë për gjëra që ne do t’i kishim të pamundura.”
Ai përjashtoi një skenar në të cilin antikitetet mund të kthehen përgjithmonë, duke thënë se kjo do të kërkonte një ndryshim të ligjit në Mbretërinë e Bashkuar, “dhe kjo do të ishte përtej autoritetit tim”.
As ministria e kulturës në Mbretërinë e Bashkuar dhe as Muzeu Britanik nuk iu përgjigjën pyetjeve për këtë analizë.
Ministrja greke e kulturës Mendoni ka hedhur poshtë akuzat e opozitës se qeveria po kërkon të arrijë një marrëveshje në mënyrë që të sigurojë mbështetje përpara zgjedhjeve. Një përfaqësues i ministrisë tha për BIRN se Mendoni nuk kishte asgjë për të shtuar më tej.
Megjithatë, nuk do të ishte hera e parë që një qeveri e Demokracisë së Re përpiqet të rimarrë antikitetet.
Në vitin 2014, me ekonominë greke në gjendje të vështirë, qeveria e kryeministrit Antonis Samaras punësoi Doughty Street Chambers të Amal Alamuddin, gruaja e yllit të Hollivudit, George Clooney, për të hetuar një rrugë të mundshme gjyqësore për kthimin e antikiteteve në Greqi.
Samaras ra vitin e ardhshëm dhe qeveria e majtë SYRIZA që mori përsipër pushtetin e braktisi çështjen, nga frika e barrës financiare dhe rreziqeve të përfshira në një çështje gjyqësore.
“Çështja e antikiteteve të Partenonit ka pasoja shkencore, humanitare, historike, etike, ligjore dhe shumë të tjera dhe një gjykim nuk do t’i merrte parasysh të gjitha këto”, tha Irene Stamatoudi, një profesore në Shkollën Juridike të Universitetit të Nikosias dhe e cila ka vënë në pikëpyetje vërtetësinë e dekretit, që Elgin tha se ishte lëshuar nga osmanët dhe që ai ia dorëzoi Muzeut Britanik si dëshmi pronësie.
Aristides Hatzis, profesor i Filozofisë së së Drejtës dhe Teorisë së Institucioneve në Universitetin e Athinës, tha për BIRN: “Dekreti nuk ekziston në arkivat osmane dhe kjo është e çuditshme pasi osmanët kishin një kulturë burokratike; ata mbanin gjithçka.”
Xydakis tha se Greqia duhet të tregojë durim.
“Greqia do ta fitojë këtë rast, është thjesht një çështje durimi historik”, tha ai për BIRN. “Ciklet politike dhe historike nuk përkojnë. Politikanët shpesh bëjnë presion për gjëra, por më pas ekziston rreziku për të përjetuar një dështim.”
Koutsoubas, i Shoqatës së Arkeologëve Grekë, ra dakord: “Sa herë që një qeveri është përpjekur të përfitojë nga kjo çështje për arsye parazgjedhore, ka pasur pengesa të mëdha në këtë proces.”