Përplasjet e presidentit Ilir Meta me qeverinë rrezikojnë të krijojnë pasoja për mirëfunksionimin e institucioneve në vend. Kreu i shtetit 2 vite pasi bëri betimin në Parlament se do qëndrojë mbi palët, ka filluar të ndihmojë opozitën në betejën e saj me mazhorancën dhe kryeministrin Rama. Përveç sulmeve mediatike,
Meta po i krijon probleme dhe në qeverisje. Janë 5 zyrtarë dhe krerë institucionesh që janë në dorë të tij dhe sinjalet janë se Meta mund të fusë në kaos vendin. Së pari kemi Gent Cakajn, i cili u refuzua për ministër të Jashtëm.
Çështja do shkojë në Kushtetuese dhe nëse Meta del se ka shkelur ligjin, emri do i shkojë sërish. Por MEPJ nuk funksionon 100 për qind, pasi Cakaj nuk ka kompetenca për shumë çështje, sidomos për marrëveshjet ndërkombëtare. Një emër tjetër është kryetari i KLSH. Presidenti prej më shumë se dy muajsh nuk po çon asnjë kandidaturë në Kuvend për të zëvendësuar Bujar Leskajn, gjë që ka futur në kaos institucionin, pasi asnjë raport auditi nuk quhet i vlefshëm pa firmën e kryetarit.
Drejtimin po e mban përkohësisht Lindita Lati, por ligjërisht ajo nuk ka asgjë në dorë. Një tjetër çështje në dorë të Metës është ajo e shkarkimit të Gjeneral Bardhyll Kollçakut, i cili drejtonte bazën e Pashalimanit. Pasi u vodhën armët pak muaj më parë, ministrja e Mbrojtjes i kërkoi Metës ta shkarkojë, por presidenti nuk ka marrë vendim.
Rasti tjetër është ai i Mynyr Konit. Ministrja e Arsimit e ka gjetur në shkelje Rektorin e Universitetit të Tiranës dhe e ka pezulluar nga detyra, duke i kërkuar Metës shkarkimin. Ky i fundit pritet të mos e shkarkojë, por do kemi një konflikt të madh si sa i takon bazës ligjore, ashtu dhe vendimit të MASR.
Edhe nëse Meta nuk e shkarkon ai është i pezulluar dhe do lindi konflikti për rimarrjen e detyrës, duke zhytur në kaos rektoratin. Rasti më i fundit që ka në dorë Meta është ai i ambasadorit shqiptar në Spanjë. Gent Cakaj ka propozuar Armand Skapin si ambasador dhe sot emri do shkojë në Presidencë për dekretim. Pra kemi 5 zyrtarë të lartë dhe krerë institucionesh që janë në dorë të presidentit, i cili nëse refuzon qeverinë mund të fusë në kaos punën institucionale në vend.
Rreziku i reformës në drejtësi
Në dorë të Presidentit Ilir Meta është dhe reforma në drejtësi. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka nisur procedurat për të përzgjedhur anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese. 3 prej tyre zgjidhen nga presidentit, 3 nga Kuvendi dhe 3 nga Gjykata e Lartë. Pasi hapi garën publikisht, Meta ka çuar në KED kandidaturat. Por pasi të mbyllet verifikimi, KED do bëjë një renditje të emrave dhe Meta duhet të zgjedhë një mes 3 të parëve.
Pra 3 anëtarë janë në dorë të tij dhe frika është se mund të ketë vonesa, pasi për bllokim Meta e ka të pamundur. Ndonëse ai brenda 1 muaji nuk vendos, atëherë i pari në listë zgjidhet anëtar. Po ashtu në dorë të tij do jenë dhe anëtarët e Gjykatës së lartë. Nëse presidenti shfrytëzon postin për luftë me qeverinë, atëherë do kemi kaos në vend dhe bllokim institucional.
Lufta Rama-Meta
Pasi refuzoi Sandër Lleshajn si ministër të Brendshëm, nisi një luftë e fortë mes kryeministrit Rama dhe presidentit Ilir Meta. Rama e ka “thumbuar” disa herë Metën, ndërsa ka shtuar sulmet ndaj bashkëshortes së tij. Ndërkohë edhe Meta nuk ka qëndruar pas, pasi vetëm javën që lamë pas e sulmoi qeverinë për grabitjen e Rinasit, vendosjen e ushtrisë në aeroport, prishjen e banesave të Bregu i Lumit, zbatimin e ligjit të arsimit të lartë dhe shkollën në Kamëz. Pra duket qartë se kemi një luftë të fortë qeveri-presidencë, por që rrezikon funksionimin normal të institucioneve. /Kliti Topalli