Ishte shkurti i vitit 1905, kur Papa Kristo Negovani së bashku me të vëllain e tij, Papa Theodhosin, dhe bashkëfshatarë të tjerë u masakruan nga andartët grekë.
Ai qe një ndër frymëzuesit e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, e cila do të bëhej realitet vetëm me Fan Nolin.
Papa Kristo Negovani u lind në vitin 1875 në Negovan të Kolonjës. Arsimin fillor e mori në vendlindje dhe shkollën e mesme e vazhdoi në Athinë.
– Publicitet –
Me librat shqip, të sjellë në Negovan, hapi fshehtas shkollën e parë shqipe për bashkëfshatarët e tij.
Me interesimin e tij u dërguan vajzat e para nga Negovani në shkollën shqipe të vashave në Korçë.
Papa Kristo Negovani, më 10 shkurt 1905, organizoi një shërbesë kishtare në gjuhën shqipe, dhe 2 ditë më vonë, u vra.
Ndër veprat letrare të Papa Kristo Negovanit vlen të përmenden: “Istori e dhjatës vjetërë”, botuar në Bukuresht në 1899; “Bënjatë e shënjtorëvet dërgimtarë”, në Sofje më 1903 etj.
Ai shkroi e përkthyeu në shqip edhe përralla e shumë vjersha me karakter didaktik.
Në kujtimet e familjarëve të tij, thuhet se vrasjen e kishte organizuar dhespoti i Kosturit.
“Ai erdhi në fshat dhe asistoi në meshën që mbajti gjyshi. Ishte paralajmëruar se do mbahej në gjuhën shqipe. Ai doli nga mesha duke kërcënuar dhe iku nga fshati pa u takuar me njeri. Ai u ka dhënë urdhrin andartëve të Jan Bullakës që të vrisnin brenda ditës në fshatin tonë burrat, me në krye papa Kriston dhe vëllain e tij, Theodhosin.
Vrasje e tmerrshme kjo, e cila u krye mbas dy ditëve, më 12 shkurt 1905, me thika e hanxharë nga një bandë që dhespoti i kishte sjellë, siç u fol nga fshatarët, nga Kreta. Përpara masakrës ata qëndruan të maskuar në pyllin afër fshatit…” – thuhet në kujtimet e botuara nga familjarët.