Një studim i përbashkët mes shkencëtarëve danezë, anglezë dhe kinezë ka arritur në përfundimin se peshkaqenët e Groenlandës janë vertebrorët më jetëgjatë në planet.
Duke analizuar ADN-në e siguruar nga kapja e një peshkaqeni të gjallë, shkencëtarët arritën në përfundimin se ky vertebror mund të arrijë jetëgjatësinë deri në 512 vite.
Fokat janë menuja kryesore e këtyre peshkaqenëve, por nuk mungojnë rastet e ushqimit me mbetjet e kafshëve të tjera detare të ngordhura.
Studiuesit thonë se ky peshkaqen arrin pjekurinë seksuale në moshën 150-vjeçare. Por, e gjithë kjo jetëgjatësi nuk vjen pa kosto. Shkencëtarët kanë gjetur në sytë e këtyre peshkaqenëve parazitë të fuqishëm, aq sa besohet se në shumë raste, këta parazitë janë shkaktarë për humbjen e shikimit të peshkaqenëve.
ADN e këtyre peshkaqenëve po studiohet për të kuptuar se çfarë e bën atë kaq jetëgjatë dhe për të shfrytëzuar njohuritë e dala prej këtyre studimeve në dobi të rritjes së jetëgjatësisë së njeriut.