Nga Ylli Pata
Ilir Meta nuk e ka përmendur me emër, por mediat dhe analistët pranë tij e kanë sulmuar egërsisht ambasadorin e Bashkimit Europian në Tiranë Luigi Soreca. Madje duke aluduar në mënyrën më skandaloze për video e gjëra të tilla, që përbëjnë thjesht shantazh.
Në fakt, sulmi ndaj ambasadorit Soreca është vijim i të njëjtit që është bërë ndaj paraardhëses së tij, ambasadores Romana Vlahutin, mbi të cilën përveç akuzave për korrupsion, u hodhën edhe sulme banale maskiliste mbi jetën private, tërësisht të turpshme, tërësisht të pabazuara, tërësisht pa etikë.
Ndërsa zonja Vlahutin u sulmua si grua, zoti Soreca si mashkull, sërish duke shantazhuar me video e thashetheme bajate.
Një ambasador i akredituar në Shqipëri nuk duhet të sulmohet ligjërisht, pasi mbrohet nga një Konventë e hershme e Vjenës, që i jep imunitet por edhe liri veprimi, mjaft që të mos shkelen ligjet e shtetit.
Por tek zoti Soreca, ka shumëçka që nuk shkon.
Ai është një diplomat që vjen në Tiranë pas një CV-je si prokuror i Antimafia-s në Palermo, ku ka punuar krah për krah të ndjerit Paolo Borselino, që është një nga heronjtë botëror të luftës ndaj krimit të organizuar.
Pikërisht nga kjo përvojë, ambasadori Soreca do të ishte një ndihmë e çmuar, madje bekim, që në Shqipëri do të jepte përvojën e tij dhe të antimafias së Palermos për të luftuar mafian shqiptare, të lidhur, ose jo me politikën.
Më pas Soreca ka qenë asistent i Franco Frattinit, numrit dy të Komisionit Europian, që punoi direkt për liberalizimin e vizave me Shqipërinë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Madje ambasadori Soreca ka qenë kreu i grupit që ka përgatitur raportin, i cili në fund u miratua nga Komisioni Europian. Dhe që edhe sot e kësaj dite është një nga vendimet më të rëndësishme që Europa ka ndërmarrë ndaj shqiptarëve.
Por përse sulmohet diplomati italian që drejton misionin e BE-së në Tiranë?
Ai është dërguar këtu në fazën e dytë të zbatimit të reformës në drejtësi, edhe nga njohuria e tij në luftën e krimit të organizuar, edhe nga ekspertiza e tij si jurist, por edhe përvoja që ka pasur në marrëdhëniet me Shqipërinë, kryesisht me qeverinë e Sali Berishës, ku numri dy i saj ishte Ilir Meta, sot president dhe Lulzim Basha, sot lider i opozitës.
Ambasadori Soreca, gjatë punës së tij dy vjeçare në Shqipëri ka promovuar kryesisht reformën në drejtësi dhe ka qenë pjesë e hartuesve të raporteve të Komisionit Europian, që ka rekomanduar hapjen e negociatave me Shqipërinë. Ku është e keqja këtu?
Dhe është krejt e habitshme se si pjesë të opinionit publik si gazetarë, apo edhe diplomat, apo organizma si Këshilli i Ambasadorëve që bënë namin për sherrin mes ambasadorit Borcshard dhe disa qytetarëve të Unazës së Re, që nuk përfshihen pikërisht në zullumin e një sulmi ndaj diplomatëve të SHBA dhe BE, që janë partnerët strtegjikë të shqipërisë.
Apo edhe ish-ministrat e Jashtëm që duket hapur që vetëm ministra të Jashtëm nuk paskan qenë…