Spektakli i përvitshëm “Krishtlindje në Tiranë” nën drejtimin e producentit Sokol Guga e Manjola Nallbanit, erdhi me shumë emra të njohur këtë vit.
E veçanta e këtij edicioni ishte ardhja e popstar-it italian Alex Palmieri dhe aktores Ornella Mutti. Pikërisht për këtë të fundit, foli këtë të shtunë tek “Rudina” producenti Guga, i cili zbuloi disa nga kërkesat që diva me famë ndërkombëtare kishte.
“Unë kisha 3 vite që komunikoja me të, sigurisht që ajo nuk e kishte në axhendën e saj për ardhur 3 vite më parë, e shtymë dhe ky ishte viti ideal për të qenë ajo në Tiranë.
E pranoi me shumë kënaqësi ftesën. Unë i thashë që nëse do të duhet të dërgoj një charter privat do ta bëj dhe këtë. Unë të dua në Tiranë, shqiptarët të duan, ne i kemi adhuruar filmat tuaj.
Unë kam qenë ende i vogël, por në fillim të viteve 90-të të gjithë shqiptarët e shikonin Ornella Mutti-n, ishin të dashuruar me të.Ornella Mutti është një artiste jo aq e lehtë për t’u marrë dhe për t’u përshtatur me të. Ishte një artiste që kishte kërkesa shumë të larta.
Por të paktën në kontratën që ne kemi bërë, ajo kërkonte që të kishte masazhierin e saj personal, gjatë qëndrimit të saj në Tiranë. Gjë që për ne ishte pak habi. Ne 4 gjëra kërkonim ne shqiptarët, ajo 24.
Masazhieri i shkonte në hotel, në dhomë. Ajo sa herë që vinte nga një udhëtim apo drekë që kishim organizuar, donte masazhierin e saj personal. Hotelin duhet ta kishte me 5 yje patjetër“, tregoi Guga.