Inter mbetet një nga ekipet më aktive në Serie A, pas Milanit, me ziklatërit që vijojnë punën për të kompletuar ekipi për sezonin e ri që është në prag. Simone Inzaghi blindoi më në fund portën pasi në Milano zbarkoi Sommer, ndërsa mbetet në pritje të Samardzic nga Udinese.
Jo vetëm merkato në hyrje, Inter mbetet aktiv edhe në dalje, ku një çështje me vete është edhe Kristjan Asllani. Situata rreth talentit kuqezi ka ndryshuar shumë kohët e fundit, Asllani nuk është më i paprekshëm, i pashitshëm, por mund të largohet nëse vjen oferta e duhur.
Interesimi për Asllanin është i madh nga Premier League, aty ku Brighton i De Zebrit po insiston fuqishëm. Nuk ka ende një ofertë zyrtare nga ana e klubit anglez, në këto momente po zhvillojnë vetëm sondazhe, por Inter ia ka bërë të qartë se Asllani mund të shitet, por vetëm me çmimin e duhur.
Sipas mediave, Asllani nuk largohet nga Milano pa 20 milionë euro, ky është çmimi dysheme, por në varësi të ofertave, kërkesa e klubit mund të shkojnë deri në 25-30 milionë euro. Pavarësisht presionit të klubit, Inzaghi nuk pritet të ndryshojë shumë në raport me Asllanin, nuk i premton shumë minuta, situatë kjo që detyron klubin t’i vendos një çmim futbollistit shqiptar.