Shkencëtarët kanë bërë një revolucion në robotikë, një robot që mund të ndryshojë gjendjen e tij nga e ngurtë në të lëngët pa humbur forcën.
Këta robotë të frymëzuar nga kastravecët e detit mund të tejkalojnë kufizimet e homologëve që kanë vetëm një lloj gjendjeje dhe kanë potencial më të lartë për t’u përdorur në elektronikë dhe mjekësi.
Kastraveci i detit mund të ndryshojë ngurtësinë e indeve të tij për të rritur kapacitetin e ngarkesës dhe të kufizojë dëmtimet fizike. Për të dizenjuar një robot që mund të bënte të njëjtën gjë, shkencëtarët kishin nevojë për një material jo toksik që mund të ndryshonte gjendjen e tij në temperaturë ambienti.
Për këtë ata zgjodhën Galiumin, një metal i butë që e ka pikën e shkrirjes në 29.76 gradë Celsius, vetëm disa gradë më pak se temperatura e trupit të njeriut. Galiumi mund të shkrijë vetëm duke e mbajtur në dorë. Kësaj matrice iu bashkangjitën edhe copëza magnetike.
Pasi e testuan për të parë ndryshimin e gjendjes nga e ngurtë në të lëngët, shkencëtarët i vendosën robotët në prova të tjera. Ata mund të kalonin hendeqe të vogla, të ngjiteshin e madje edhe të ndaheshin për të ndërvepruar në lëvizjen e sendeve përpara se të bashkoheshin sërish dhe të ngurtësoheshin.
Madje, ata testuan një robot në trajtën e një njeriu LEGO që shkriu për të dalë nga një qeli e vogël e improvizuar. Më tej, shkencëtarët ndërtuan modelin e stomakut njerëzor dhe e vendosën robotin për të hequr një send prej andej, një lloj shembulli për të parë si mund të funksionojë në rastet e gëlltitjes së baterive. Operacioni vijues ishte dërgimi i një objekti me anë të robotit që mund të jetë për rastet e shpërndarjes së barnave brenda organizmit.
Gjithsesi, për të gjetur vend në realitet, robotët do duhet të përmirësohen. Duke qenë se temperatura e trupit të njeriut është më e lartë se sa pika e shkrirjes së Galiumit, nevojitet që roboti të ruajë të gjitha aftësitë e tij dhe njëkohësisht të gjendet një kombinim që mund të rrisë pikën e tij të shkrirjes. Megjithatë, kërkuesit janë të mendimit se kjo çështje duhet vëzhguar në detaje.