Mazhoranca nisi dje befasisht diskutimet për ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit. Pjesë e diskutimeve është edhe propozimi i PS që për deputetët që kapen në shkelje, kërkesa për arrestimin e tyre nga ana e prokurorisë të shoqërohet me prova.
Në janar të këtij viti u zhvillua mbledhja e fundit tek Komisioni i Ligjeve për të diskutuar këto ndryshime, ku u fol edhe për këtë propozim të PS. Por kjo pikë u kundërshtua shumë fort nga PD-LSI, të cilat asokohe ishin në Parlament.
Për shkak të debatit të madh, propozuesi Taulant Balla kërkoi që të shtyhet votimi i ndryshimeve në Rregulloren e Kuvendit dhe gjatë kësaj kohe do të punohej me demokratët për të arritur në një draft të përbashkët dhe për të rënë dakord për çështjen e imunitetit të deputetëve.
Por teksa PD-LSI dolën nga Parlamenti, u duk sikur diskutimet mbetën pezull. Mirëpo mazhoranca ka përfituar nga futja në Kuvend e opozitarëve të rinj dhe ka nisur me urgjencë diskutimet për ndryshimin e rregullores. Dje në Komisionin e Ligjeve u diskutua gjerësisht për disa nene, ndërsa iu la kohë edhe opozitarëve të rinj që të paraqesin amendime në nene të caktuara.
Hapat për arrestimin e deputetit
Ajo që duhet theksuar është fakti se propozimi i mazhorancës që të forcohen masat për heqjen e imunitetit të një deputeti vijon të ekzistojë. Nga ana e PS nuk ka patur asnjë lëvizje zyrtare për ta tërhequr këtë propozim që pas kundërshtisë së PD, çka do të thotë se ai vijon të jetë pjesë e planit të mazhorancës.
Por cilët janë hapat që kërkon mazhoranca të ndiqen për arrestimin e një deputeti? Gazeta ka siguruar draftin e ndryshimeve të rregullores, ku përcaktohet që fillimisht prokuroria duhet të paraqesë kërkesën për të autorizuar caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi bashkë me provat tek kryetari i Kuvendit. Kjo kërkesë merret në shqyrtim nga Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.
Gjatë mbledhjes së Këshillit për Mandatet dhe Imunitetin dëgjohen pretendimet nga ana e prokurorisë, ndërsa fjala i jepet edhe deputetit për të bërë mbrojtjen. Anëtarët e mbledhjes kanë të drejtë t’iu drejtojnë pyetje prokurorisë dhe deputetit në rrezik, ndërsa më pas dy relatorët e përcaktuar japin vlerësimin e përgjithshëm. Brenda një jave pastaj Kuvendi duhet të hartojë raportin dhe ta dërgojë në seancë plenare për të miratuar kërkesën e prokurorisë ose për ta rrëzuar atë.
Në rastin kur Kuvendi nuk merr vendim për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për procedim brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës përkatëse, atëherë kërkesa konsiderohet e rrëzuar nga Kuvendi. Këto pika pritet që PS t’i miratojë bashkë me opozitën e re.
Opozitarët e rinj pritet që të japin votën pro për ndryshimet në rregullore, ndërsa sinjalet u dhanë që dje sepse gjatë mbledhjes ata votuan pro për çdo nen të diskutuar. Megjithatë mbetet të shihet se cili do të jetë versioni final që do të hidhet për votim.
Komision special për masat disiplinore
Gjatë diskutimeve të djeshme në Komisionin e Ligjeve për ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, relatorja Vasilika Hysi bëri me dije se për masat disiplinore që merren ndaj deputetëve do të ngrihet një komision special. Këto masa deri tani janë dhënë nga Byroja e Kuvendit, por tani do të ngrihet Komisioni për Etikën dhe Masat Administrative.
Ky i fundit do të jetë komisioni adap për dhënien e masave ndaj deputetëve, ndërsa Byroja e Kuvendit do të jetë instanca ku të “dënuarit” do të kenë mundësi të ankimojnë vendimin e komisionit.
“Sot shërbimet e Kuvendit, në zbatim të rekomandimeve të OSBE dhe GRECO, kanë sjellë një riformulim për shqyrtimin dhe dhënien e masave disiplinore. Do të krijohet Komisioni i Etikës dhe Masave Disiplinore për të dhënë masa, ndërsa Byroja Kuvendit është organi ku ankimohen vendimet”, tha Vasilika Hysi.
Mimoza Ibra