Pas 5 viteve betejë gjyqësore Antoneta Sevdari rikthehet në detyrën e prokurores të cilën e ndërpreu në shkurt 2019 me vendim të Kolegjit të Posaçëm Apelimi duke shënuar dhe precedentin e parë në sistemin e ri të drejtësisë.
Ky është rasti i parë kur Kolegji i Posaçëm i Apelimit rishikon një vendim shkarkimi me formë të prerë. Ish-prokurorja bëri kërkesë për rishkimin e vendimit në Kolegj, pasi Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, GJEDNJ gjeti shkelje të nenit 8 të Konventës në rastin e shkarkimit të saj.
Gjykata në Strasburg vuri në dukje se vendimi i shkarkimit ishte “disproporcional” dhe dënoi shtetin shqiptar me 25 mijë euro. Ndërkohë në vendimin për rikthimin e saj, thuhet se Kolegji arriti në konkluzionin se në kushtet kur vendimet e GJEDNJ janë detyruese për Shqipërinë, e vetmja rrugë mbetet konfirmimi në detyrë i Sevdarit. Vendimi i cili u shpall dje (10 maj 2024), u mor me shumicë votash nga trupa gjykuese e përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Sokol Çomo relator, Albana Shtylla, Ina Rama dhe Rezarta Schuetz anëtarë.
“Në kushtet kur parashikimet e Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe vendimmarrja e GJEDNJ-së janë të detyrueshme për zbatim nga shteti shqiptar dhe për sa kohë lidhur me çështjen objekt gjykimi, dhënia e masës disiplinore e shkarkimit nga detyra është çmuar nga GJEDNJ se ka cënuar nenin 8 të Konventës, e vetmja alternativë për përfundimin e procesit të rivlerësimit kalimtar të zonjës Antoneta Sevdari është konfirmimi i saj në detyrë. Për pasojë vendimi I konfirmimit në detyrë duhet të lihet në fuqi, lexoi vendimin kryesuesja Natasha Mulaj.
Ndwrkohw për Sevdarin drejtësia u vu në vend. “Ndihem e gëzuar që arrita të marr drejtësinë që meritoja, kam 2-fish përgjegjësi të jem e përkushtuar ndaj drejtësisë”, tha ajo në një prononcim për median pas vendimit. Ndërsa për magjistratët e dalë nga sistemi i drejtësisë mund të jetë precedent që një vendim të rimerret në shqyrtim me mundësinë e rimarrjes së detyrës.
Megjithëse Gjykata e Strasburgut në vendimin e saj theksoi se rasti i Sevdarit duhet të konsiderohet përjashtimor dhe se nuk mund të kthehet në një referencë kundër procesit të vetingut në tërësi. Kujtojmë se në 13 dhjetor 2022 Gjykata e Strasburgut gjeti shkelje të nenit 8 të Konventës dhe vuri në dukje se vendimi i shkarkimit i Antoneta Sevdarit ishte “disproporcional” dhe në shkelje procedurale.
Dënoi Shqipërinë që të dëmshpërblente ish-prokuroren me rreth 25 mijë euro dhe sugjeroi të rishikohej vendimi i shkarkimit. Pas kësaj procesi në mars 2024 KPA rinisi shqyrtimin me një trupë tjetër gjykuese, ndryshe nga ai që mori vendimin e shkarkimit më 28 shkurt 2019 .
Trupi gjykues i KPA atëherë përbëhej nga Luan Daci Kryesues, Sokol Çomo Relator, Ardian Hajdari Anëtar, Ina Rama Anëtare, Rezarta Schuetz Anëtare. Vetë KPA (Kolegji i Posaçëm i Apelimit) vendosi prishjen e vendimit të vet të marrë më 2019, dhe rishqyrtimin e çështjes e sot më 10 maj me shumicë votash trupa gjykuese vendosi lënien në fuqi të vendimit 42 datë 18/07/2018 të KPK që konfirmonte në detyrë Antoneta Sevdarin.
I takon KLP-së të caktojë se në cilën prokurori do të marrë detyrën Sevdari ndërsa para shkarkimit ajo ka pasur detyrën e prokurores në Prokurorinë e Tiranës dhe njëkohësisht anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP)