Socialistët kanë paralajmëruar se do të votojnë kundër ligjit të dekomunistizimit. Nga ana tjetër, ata kanë hedhur akuza ndaj Partisë Demokratike se kjo e fundit kërkon të fusë në burg historinë me anë të nismës së ndërmarr. Deputeti i qarkut të Fierit për Partinë Socialiste, Petro Koçi, ka dhënë edhe një prononcim për gazetën “SOT” lidhur me dekomunistizimin, teksa ka deklaruar se çdo përpjekje për të mohuar vlerat e Luftës Nacional Çlirimtare është përpjekje antikombëtare.
“Ballistët nuk i solla unë, ata i gjeta në histori. Çdo përpjekje për të mohuar vlerat e Luftës Nacional Çlirimtare është përpjekje antikombëtare. Ata që kanë bashkëpunuar me fashizmin e nazizmit duhet të kërkojnë falje”, tha Koçi. Duke u ndalur tek propozimi i Partisë Demokratike për dekomunistizimin, Koçi tha se të ndalosh filmat e komunizmit është censurë, ndërsa PD kërkon që të fusë në burgun e harresës artin dhe talentin e artistëve.
“Të ndalosh filmat e komunizmit është censurë, kërkojnë të fusin në burgun e harresës artin dhe talentin e artistëve. Fatkeqësisht sot s’kemi produktivitet filmash siç kemi pasur në të kaluarën. Të asgjësosh këto filma është autogol politik”, u shpreh Koçi.
Çela: Ky propozim i PD nuk do të ketë kurrë votën time
Ndërkohë, edhe deputeti i PS Bujar Çela ka deklaruar se ky propozim i ardhur nga PD nuk do të ketë kurrë votën e tij. Ai deklaroi se PD po përpiqet që të çbëjë historinë e lavdishme të bërë nga shqiptarët në këto 4-5 dekada. “Ky propozim i ardhur nga halja Partia Demokratike nuk do të ketë kurrë votën time dhe të gjithë socialistëve! Këto janë projekte dëshpëruese të një subjekti politik ne arrati, që po mundohen të kapen si i mbyturi pas fijes së kashtës për të ç’bërë historinë e lavdishme të bërë nga shqiptarët në këto 4-5 dekada të arrestimit të shkencës dhe kulturës sonë. Bijtë e kriminelëve se errësojnë do të historinë e Shqipërisë dhe në veçanti pseudo përfaqësuesi i PD shoqja Enkelejda, si nip i dy krimineleve Toska -Cakrani”, deklaroi deputeti Bujar Çela për gazetën “SOT”.
Ja çfarë përmban nisma e PD për dekomunistizimin
Ndërkohë, kujtojmë se gjysma zyrtare e Partisë Demokratike nën drejtimin e Enkelejd Alibeajt ka depozituar në Kuvend një projektligj të posaçëm, i cili parashikon fshirjen e gjithçkaje që është prodhuar në regjimin komunist, me përjashtim të njerëzve që kanë lindur në atë kohë. Nisma për dekomunistizimin e Shqipërisë titullohet “për ndërgjegjësimin, kujtesën kolektive, ekspozimin dhe ndëshkimin publik të regjimit totalitar komunist”.
Nisma ligjore parashikon ndalimin e simboleve të regjimit totalitar komunist, i veprave intelektuale për propagandë, i materialeve audio-vizuale për propagandë dhe i propagandës në veprimtaritë politike. Me simbole të regjimit komunist, nënkuptohet ‘fshirja’ e yllit të regjimit komunist, yllit të kuq shqiptar me pesë cepa, shallit të kuq me tre cepa, të flamurit me akronimet e PKSH dhe PPSH, të stemës “pushkë, kazmë dhe libër”, të stemës “drapër dhe çekan”, himni i Internacionales Komuniste, shenja përkujtimore dhe shënime të dedikuara për personat kyç në PPSH.
Gjithashtu, parashikohet heqja e monumenteve, lapidareve, parullave, citateve të personave kyç në PPSH, heqjen e emrave të qyteteve, rretheve, vendndodhjeve, rrugëve, shesheve, urave, emra ndërmarrjesh, institucionesh ose organizatash që përmbajnë emrat ose pseudonimet e personave kyç në PPSH dhe të punonjësve të organeve të diktaturës komuniste apo emra që tregojnë aktivitete dhe ngjarje të lidhura me veprimtarinë e PPSH, duke përfshirë edhe ditë përkujtimoresh të festuara nga kjo part.i
Me ndalimin e veprave intelektuale për propagandë nënkuptohet ndalimin e veprave letrare, publicistike, leksionet, predikimet, fjalimet, çdo krijim tjetër me gojë, krijimet dramatike, kompozimet muzikore, krijimet koreografike, krijimet audio-vizuale, krijimet kinematografike dhe krijimet e tjera audio-vizuale të krijuara në mënyra të ngjashme me ato kinematografike, veprat radiofonike, krijimet e artit pamor në fushën e pikturës, skulpturës dhe grafikës, artet dekorative monumentale, krijimet arkitekturore që përfshijnë vizatimet, planet dhe skicat.