Ndizen motorët për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese. Pas Kuvendit edhe presidenti Ilir Meta ka hapur garën për plotësimin e vendeve vakante në këtë gjykatë. Presioni i ndërkombëtarëve ka bërë që institucionet përgjegjëse të vijojnë me intensitet punën për funksionimin sa më parë të Kushtetueses.
Vendi vakant që është shpallur nga presidenti Meta i takon mbarimit parakohe të mandatit të ish-gjyqtarit Besnik Imeraj, i cili u dorëhoq më 31 janar 2018.
Afati i dorëzimit të aplikimeve është deri në 14 tetor dhe pritet që brenda muajit dhjetor dy anëtarët për Gjykatën Kushtetuese të emërohen në detyrë, pra plotësimi i vakancës së Kuvendit dhe Presidencës.
Planet
Gazeta ka siguruar planin final të veprimit të dalë nga Këshilli Europian i Integrimit, në të cilën janë përcaktuar afatet se kur duhet të jenë funksionale Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese. Në planin e veprimit të integrimit, theksohet se Gjykata Kushtetuese duhet të jetë funksionale brenda këtij viti, ku brenda muajit dhjetor pritet të emërohen dy anëtarët e radhës për plotësimin e vakancave të krijuara.
Pra brenda kësaj periudhe kohore, institucionet përgjegjëse, pra Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Presidenca dhe Kuvendi duhet të kenë kryer të gjitha procedurat, që nga verifikimi i kandidatëve, e deri tek renditja e tyre.
“Përfundimi i procedurës së verifikimit të kandidatëve për dy vakancat e parakohshme, të shpallura respektivisht nga Presidenti i Republikës dhe Kuvendi dhe rishpallja e vendeve vakante, nëse vendimmarrja e KED nuk rezulton me kandidatë të kualifikuar sipas parashikimeve ligjore; Emërimi i dy gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese me mandat deri në vitin 2022, respektivisht nga Presidenti i Republikës dhe Kuvendi. Afati; dhjetor 2020”, thuhet në planin e integrimit.
Ngritja e Gjykatës së Lartë
Ndërkohë edhe përveç ngritjes dhe funksionimit të Gjykatës Kushtetuese, kusht i rëndësishëm është edhe plotësimi i vakancave në Gjykatën e Lartë. Në planin e veprimit është përcaktuar qartë që kryerja e të gjitha procedurave, përfshirë verifikimin e kandidatëve, pikëzimin dhe renditjen e tyre për 12 vendet vakante që janë shpallur nga Këshilli i Lartë Gjyqësor të përfundojnë brenda 3 mujorit të parë të vitit 2021.
Pra fillimi i vitit që vjen, do e gjejë vendin tonë me gjykata të plotësuara dhe funksionale, çka është një hap pozitiv për të ardhmen e Shqipërisë, por edhe për vetë qytetarët. Gazeta e tha edhe pak kohë më parë se Këshilli ka vënë në zbatim udhërrëfyesin e dorëzuar nga SHBA-BE dhe në mbledhjen e fundit të zhvilluar në datën 7 gusht ka bërë me dije se ka nisur verifikimi i kandidatëve.
KLGJ bën të ditur se verifikimi ka nisur për kandidatët që kanë shfaqur interes për vendet vakante që janë shpallur në 26 shkurt 2020 dhe 9 shtator 2020. Ndërkohë që pak kohë më parë EURALIUS dhe USAID kanë dorëzuar një “Udhërrëfyes për funksionimin e Gjykatës së Lartë”, i cili duhet të ndiqet nga KLGJ dhe vetë Gjykata e Lartë. Aty theksohet se funksionimi i Gjykatës së Lartë është një nga kriteret kryesore që është vendosur nga Këshilli Europian në muajin mars për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.