Dita e parë e xhirimit ka qenë dita më e frikshme e jetës sime. U përballa me aktorë vërtet të mëdhenj. U futa në një rreth njerëzish që ishin shumë më të rritur se unë dhe Viktori gjithmonë me duart e lidhura kryq rrinte e më shikonte.
Isha më e paragjykuara nga të gjithë, sepse nuk dija asgjë nga filmi, por nuk ishte kjo dita më e keqe. Ishte një moment kur Sandër Prosi vjen e luan me atë zogun e vogël te kafazi. Kemi një skenë unë dhe vëllai im në film, që duhet të thosha dy-tri batuta. Nuk po i bëja mirë derisa Viktori ngriti zërin, ndërsa unë po qaja.
Ndërkohë, Sandri më merr mënjanë, më pyet çfarë ke. E traumatizuar i them se ai më bërtiti, por unë nuk po arrija atë që duhej. “Ai na bërtet edhe neve,- më thotë Sandri,- ti je e vogël, fshiji lotët dhe futu sërish në xhirim. Do të kuptosh që kjo është jeta e artistit, ti i ke parametrat që të jesh një aktore e shkëlqyer”. Ditët e xhirimit pastaj vazhduan. Një moment që Bexhet Nelku nuk ishte në xhirim më pyet “Cila është ëndrra jote?”. Përgjigjem që nuk e di sepse unë isha nxënëse në Lice për këngëtare dhe po xhiroja për herë të parë një film.
Më thotë saktësisht: “Ndaje këtë gjë, fokusohu! Nëse do të bëhesh aktore, ky profesion t’i merr të gjitha energjitë, duhet të përkushtohesh deri në fund”. E mbaj mend premierën e këtij filmi në kinema “Dajti” me prindërit. Publiku nuk e dinte që isha pjesë dhe të parët që më panë, thanë kjo është Alma. Shkoi gojë pas goje kjo fjalë dhe të gjithë dilnin më shikonin. Këtë impakt të parë unë e kam ruajtur gjithmonë me publikun. Është alkimia më e fuqishme mes aktorit dhe publikut.
Filmi i parë i gëzoi edhe prindërit e mi. Mua më mungojnë të dy dhe jam shumë e lumtur që i realizova pritshmëritë e tyre nga ana profesionale. Pasi mbarova xhirimet e filmit të parë, nuk isha shkëputur ende nga shkolla, por tashmë m’u hap një mënyrë e re jetese.
Meqenëse kisha kënduar shumë herët mendova që më doli një dritare tjetër, e cila duhej hapur deri në fund. Filmi ishte një tjetër magji, një tjetër dritare, qoftë edhe për të eksploruar veten.
Sot jam e bindur për këtë, por atëherë e tha e pandërgjegjshmja. Ishte shumë mirë që ndodhi kështu sepse njeriu duhet të nxjerrë të brendshmen në sipërfaqe. Asgjë nuk ndodh rastësisht, asgjë nuk ndodh kot./Aktoret.com/