Ndërron jetë Sanie Baçova, artistja që zbuste kafshët e cirkut shqiptar. Lajmi i hidhur u dha nga përfaqësues të Cirkut Kombëtar.
Mësohet se Baçova ishte gruaja e parë që kishte këtë profil.
MESAZHI
Me keqardhje ju njoftojmë se ditën e sotme ka ndërruar jetë Sanie Baçova, e para dhe e vetmja artiste grua në profilin e zbutësit të kafshëve në Cirkun Shqiptar.
Kolektivi i Cirkut Kombëtar i shpreh ngushëllime familjes, e në veçanti Mjeshtrit Tahir Baçova.
Ishte viti 1964 në korridoret e Cirkut të Tiranës, mes akrobatëve, zhonglerëve, ekuilibristëve, klounëve, u duk edhe një vajzë e re, e veshur rroba akrobatësh.
Në dorë mbante një shkop të hollë, të vogël, duke zhvilluar një orë mësimi në një klasë, me banka, dërrasë të zezë, “nxënësit’ e saj ishin; Rrapi, Xhina, Diana dhe Luçi. Mësuesja e tyre, Sania i drejtonte të sistemoheshin nëpër banka të rrinin urtë e të silleshin mirë, të kishin mendjen në mësim.
Ishte ora e matematikës.
Mësuese Sania shkruante numra në dërrasën e zezë dhe “nxënësit-qen” me lehjet e tyre plot zë të lartë, jepnin zgjidhjen e veprimit matematikor. Kur u shfaq ky numër para spektatorëve, në premierën “Fluturime akrobatike”, jo vetëm u prit me kureshtje, por edhe u duartrokit shoqëruar edhe me të qeshura. Spektatorët kishin parë në cirk, një zbutëse kafshësh femër!
Kjo ishte ngjarja që do të mbetet në kujtesën e historisë, si zbutësja e parë e kafshëve dhe e vetme në Artin e Cirkut Shqiptar.