Dje u përcoll për në banesën e fundit ish ministri dhe ish-kandidati i Byrosë Politike të PPSH, Llambi Gegprifti.
Vajza e tij, Sonila Qato shkruan:
“Në këtë ditë të bukur fillim maji ti mbylle sytë përgjithnjë, duke na hidhëruar zemrën, për të qenë i pavdekshëm për ne vajzat e tua, mamin, niperit e mbesat.
Na ke lënë pas pasurinë më të madhe, jetën tende të ndershme, emrin tënd që na ka bere gjithnjë të ndihemi krenare! Lamtumirë babi ynë i shtrenjtë”, shkruan ajo.
Lindi më 14.2.1942 në fshatin Potgozhan të Pogradecit në një familje të varfër fshatare. Ka kryer studimet në Fakultetin e gjeologji-minierave.
Ka punuar si inxhinier e drejtues në sektorin e minierave, ku u dallua si organizator i aftë. Anëtar i PPSH më 1964. Kandidat i KQ të PPSH në Kongresin VI (1971) dhe anëtar i KQ të PPSH në Kongresin VII (1976).
Në vitin 1974 u ngarkua me detyrën e zëvendësministrit të Mbrojtjes Popullore, ndërsa në mars 1981 u emërua ministër i Industrisë dhe Minierave. Para ndryshimit të sistemit ishte kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës.