Ateisti i njohur, biologu Richard Dawkins, është pozicionuar kundër tentativave për spastrimin e gjuhës shkencore nga terma që konsiderohen ofenduese.
Në emër të inklusivitetit, një grup akademikësh në Amerikë kanë nisur një fushatë kundër përdorimit të një sërë fjalësh që i shohin si problematike.
Lista e gjatë përfshin terma si: “male, female, mother, father, alien, non-native, exotic, double-blind, gender, primitive, advanced, virgin, master file, survival of the fittest”.
Në reagimin e tij, Dawkins-i është betuar publikisht se, “do të përdorë secilën prej fjalëve të ndaluara”, duke shtuar se, “kjo është qesharake.
Nuk do të lejoj që një version adoleshent të tipit “Mrs Grundy” [personazh moralizues i padurueshëm] të më diktojë mua se cilat fjalë të gjuhës sime më lejohet të përdor dhe cilat jo”.
Nuk është hera e parë që përfshihet biologu i njohur në debatet e reja që po vlojnë në perëndim. Pavarësisht se Dawkins-i ishte bërë idhull i shumë ateistëve në Amerikë për pikëpamjet e tij militante pro-evolucionit (dhe kundër fesë), shkencëtari ka shkaktuar pezmatim në radhët e dashamirësve të tij sepse nuk po honeps dot ideologjitë e reja seksuale që janë bërë modë gjithandej.
Konkretisht, ai ka hedhur dyshime mbi bazën biologjike të pikëpamjeve transgjinore, duke bërë që shoqata e njohur ateiste, “American Humanist Association”, ta zhvesh Dawkins-in nga çmimi Humanisti i Vitit.