Kinemaja meksikane ka rënë në zi. Mediat vendëse kanë publikuar sot lajmin e ndarjes nga jeta të aktores së famshme meksikane María Rubio, e njohur për shumë role në serialet televizive meksikane. Mësohet se aktorja është ndarë nga jeta të enjten në Mexico City, në moshën 84-vjeçare.
Siç raporton elnuevodiario.com, shkaku i vdekjes së artistes nuk është bërë publik nga familjarët, por lajmin e ndau fillimisht mbesa e saj, Fernanda Reyes Pedret në Twitter: “Gjyshja ime, idhulli im, shembulli që ndjek, sot është pranë babait tim”, – shkroi Pedret. (Në nëntor të vitit të kaluar, Maria Rubio humbi të birin nga një aksident me makinë.)
Rolet e Maria Rubio-s në kinema janë të panumërt. Më shumë se 20 seriale në film dhe teatër, Rubio u kthye në një prej aktoreve më të pëlqyera dhe më të paguara të rrjetit të prodhimeve meksikane Televisa (prodhuesi më i madh i serialeve në gjuhën spanjolle).
“Cuna de Lobos”, “Imperio de cristal” (1994), “Amor gitano” (1999) dhe “Salomé” (2001) janë vetëm disa nga serialet në të cilat Rubio ka luajtur. (BalkanWeb)