NATO-ja hodhi poshtë të premten kërkesat ruse për të tërhequr forcat e saj nga Rumania dhe Bullgaria ndërsa vazhdonin përpjekjet diplomatike për të parandaluar një luftë në Evropë në kushtet kur Rusia ka grumbulluar rreth 100 mijë trupa pranë kufijve të Ukrainës.
“NATO-ja nuk do të heqë dorë nga e drejta për të mbrojtur njëri-tjetrin, përfshirë praninë e trupave në pjesën lindore të aleancës,” tha në një deklaratë zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu.
Moska ka kërkuar garanci ligjërisht të detyrueshme nga NATO-ja se ajo do të ndalojë zgjerimin dhe do të kthehet në kufijtë e vitit 1997.
Më herët të premten, ministria e jashtme ruse tha se garancitë e sigurisë që kërkon Moska nga Perëndimi përfshijnë dispozita që kërkojnë që forcat e NATO-s të largohen nga Rumania dhe Bullgaria.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje se çfarë do të thoshte kjo për Bullgarinë dhe Rumaninë, të cilat u anëtarësuan në NATO-n pas vitit 1997, ministria tha se Rusia donte që të gjitha trupat e huaja, armët dhe pajisjet e tjera ushtarake të tërhiqeshin nga ato vende.
NATO-ja i hodhi poshtë këto kërkesa, duke thënë se një gjë e tillë do të krijonte aleatë të dorës së parë dhe të dytë të NATO-s, gjë që aleanca nuk mund ta pranonte.
“Ne hedhim poshtë çdo ide për sfera ndikimi në Evropë. Ne gjithmonë do t’i përgjigjemi çdo përkeqësimi të mjedisit tonë të sigurisë, edhe me forcimin e mbrojtjes sonë kolektive,” tha zëdhënësja e NATO-s.
“NATO-ja është vigjilente dhe vazhdon të vlerësojë nevojën për të përforcuar pjesën lindore të Aleancës sonë.”