Sot Muli u mërzit me takimin tek “Rrugica e Shpresës së humbur”.
Zeni i tha se kanë siguruar mbështetje nga Partitë Popullore për Doktorin.
-Është një italian dhe një portugez, i tha.
Do bëjmë lidhje direkt përmes Syrit.
Dhe Muli i bëri të gjitha gati.
Doli i pari portugezi.
-Jemi shumë të shqetësuar për arrestimet politike në Shqipëri, tha.
Rrugica shpërtheu nga gëzimi.
-Nuk mund ta lëmë kurrë Fred Belerin në burg. Lironi Belerin.
-Edhe Doktorin, edhe Doktorin, bërtiste një nga turma.
Nejse iku i pari.
I erdhi radha të dytit.
Edhe ai të njëjtën gjë.
-Shqipëria do ketë probleme me BE, tha, se ka të burgosur politikë.
Turma shpërtheu prapë.
-Fred Beleri duhet të lirohet një orë e më parë.
-Edhe Doktori, edhe Doktori, bërtiste prapë dikush nga turma.
-Pusho mo budalla, se nuk të dëgjon, i tha një tjetër.
Nuk është live, është i regjistruar. Vetëm ne jemi live.
-Po ky s’tha asgjë për Doktorin, i tha militanti i mërzitur, Mulit.
-Është faza e pare, tha Muli.
Në fillim na duhet të thuhet se ka të burgosur politikë.
Pastaj e bëjmë vetë listën ne. Natyrisht dhe Beleri është.