Doktori sot e kishte “Foltoren” me gratë. Dhe të gjitha gratë ishin përgatitur të dilnin në fotografi me fituesin e medaljes “Llazorja”, Ervis Kokpalari.
Por zhgënjimi ishte i madh. Gratë demokrate nuk e panë atë asgjëkund. Kjo shkaktoi shumë pezmatim dhe rrezikonte t’i ulte nivelin e lartë të entuziazmit “Foltores”.
Për këtë arsye Muli bëri një sqarim për gratë demokrate.
Të dashura demokrate!
E di që secila prej jush sot ishte përgatitur me mish e shpirt të takonte “Llazoren” e Foltores. Ajo është bërë figura më e dashur e grave dhe vajzave demokrate. Secila nga ju ëndërron të jetë si ajo në krah të Doktorit.
Por “Foltorja” ka strategjinë e saj. Llazorja nuk na duhet për gratë, por për burrat. Atë e kemi një aleate të vyer për të trimëruar burrat e PD të cilët po harrojnë traditat e shquara të Doktorit, mënyrën si ai i sulmon gratë kundërshtare, si u nxjerr të palarat e dashnorëve që kanë pasur qysh në rini, si u zbulon dashnorët e rinj, sa herë tradhtojnë PD.
Se ashtu siç ka thënë Doktori, një grua lavire nuk është një grua që tradhton burrin, por një grua që tradhton PD. Ajo që tradhton PD i bën të gjitha.
Ndaj Llazorja është bërë figurë e dashur për burrat e PD, pasi po u tregon atyre si të flasin gjuhën e Doktorit ndaj femrave tradhtare të PD, që doemos pastaj tradhtojnë dhe burrat e tyre. Kjo është arsyeja.
E gjykuam se ju gratë e PD nuk keni nevojë të frymëzoheni nga Llazorja se ju e adhuroni vetë Doktorin dhe mezi prisni të dëgjoni prej tij ato që thotë Llazorja për burrat.