Tronditjen e parë Muli e mori dje në mbledhjen e Kryesisë, kur pa se mungonin gati 40 për qind e anëtarëve.
Disa shpiknin sëmundje, disa halle, disa trafik dhe nuk erdhën.
Megjithatë Muli bëri sikur nuk e kishte mendjen.
Por sot e tronditi shumë profesor Mondi.
Ai ishte ankuar publikisht se postimet e tij në Facebook tani mezi marrin 10 like.
Ja tregoi Lelos postimin.
-Nuk shikoj ndonjë problem, tha Lelo.
Profesor Mondin, nuk e kupton populli. Është nivel i lartë.
-Nuk është aty halli, tha Muli. Më duket më shumë shqetësuese.
-Pse?
-Doktori dje në mbledhje të Kryesisë dha porosi që të gjithë Kryesia tani e tutje të punojnë me rrjetet sociale, pra me Facebook kryesisht.
Sapo Doktori tha këtë, ky del e thotë që mua nuk më ndjek njeri.
Ky është dezertim. Pra ky do të kundërshtojë direktivën e Doktorit.
-Ndoshta e ka pa të keq, tha Lelo, meqë nuk merr like.
-Jo, kjo është shqetësuese, tha Muli. Sido që ta marrësh është sabotim.
Nëse e merr seriozisht, i bie që i kanë rënë like nga kauza jonë.
Pra njerëzit nuk duan më të dëgjojnë për kauzën tonë.
Kjo nuk është e vërtetë. Njerëzit janë sy e vesh se çfarë themi ne.
Nëse e merr si problem personal të profesor Mondit, është dhe më keq, pasi ai do të duket sikur ka rrjedhur.
Por ai nuk është më i vjetër se Doktori.
Derisa ai mbahet akoma profesor Mondi, s’ka pse shmanget nga detyrimet.
-Këtu ke të drejtë, tha Lelo.
Duhet ndoshta të sponsorizojmë postimet e profesor Mondit që t’i rriten liket dhe të fitojë vetëbesim më tepër.
-E bëjmë, tha Muli, por s’kemi si e bëjmë pa lejen e tij.
Ai po mori vesh që do paguajmë për Facebokun e tij, thotë mi jepni lekë të ha ndonjë pilaf, lërini liket.