Pas njoftimit të Ambasadës së SHBA, se nga 1 prilli e tutje vizat turistike për shqiptarët do të jenë dhjetëvjeçare, Muli reagoi i revoltuar:
“Të dashur miq!
Sot SHBA bëri një provokim tjetër të rëndë ndaj Foltores.
E dëshpëruar nga humbja e Lulit më 6 mars, Ambasada ka ndërmarrë një tjetër provokim ndaj shqiptarëve, duke ua bërë vizat dhjetëvjeçare.
Ky provokim është vazhdim i politikës së Sorosit për të provokuar Doktorin dhe për të shpopulluar Shqipërinë.
Vendimi është marrë fillimisht për të poshtëruar familjen e Doktorit dhe ne rrethin e afërt të tij, që na kanë hequr vizat.
Me këtë akt ambasadorja kërkon të ndajë popullin shqiptar në klasa, një klasë që ka të drejtë të shkojë në SHBA e të rrijë sa të dojë, dhe një tjetër si Doktori dhe ne qëndrestarët e tij, që nuk na lejojnë të shkojmë.
Ky provokim është hakmarrja e fundit e Lulit, i cili kërkon të ndëshkojë demokratët që nuk e votuan dhe u bashkuan me Doktorin.
Por ne jo 10 vjet, por 100 vjet rrimë pa shkuar në SHBA e Doktorin nuk e tradhtojmë.
Nuk e kuptoj çfarë pune u prish t’i jepnin Doktorit vizë dhjetëvjeçare, se pas dhjetë vitesh ai është 90 vjeç dhe nuk i duhet më viza, se nuk udhëton dot.
E gjitha bëhet për ta poshtëruar atë.
Nga ana tjetër kjo është në vazhdim të politikës shpopulluese të Sorosit ndaj Shqipërisë, që shqiptarët të ikin në SHBA dhe këtu të vijnë emigrantë nga Bangladeshi dhe Ukraina.
Por ne nuk e lëshojmë Shqipërinë.
Ne do qëndrojmë këtu dhe nuk do lejojmë askënd të na zaptojë vatanin tonë.
Nuk kemi nevojë për viza amerikane, por ta dine mirë se kur të vijë Doktori në pushtet, as Sorosi dhe shokët e tij nuk do kenë viza për në Shqipëri”.