Muli priste që sot pas arrestimit të Metës të kishte revolta.
Për këtë thirri Lelon të pyeste se çfarë po bëjnë ata të Partisë së Lirisë.
-Kanë probleme, tha Lelo. Nuk organizohen dot.
-Po çfarë problemi kanë?
Ua çojmë ne ca njerëz sa të bëjnë një rrëmujë.
-E kanë problem kush do t’i udhëheqë, tha Lelo.
Petraq Milo thotë më takon mua nga mosha dhe eksperienca, se jam dhe ish- ushtarak, dhe ish- ekonomist.
Gimi i Puros thotë më takon mua se kam lidhje ndërkombëtare të forta dhe mund ta nxjerr Metën nga burgu.
Tit Vasili thotë më takon mua se në këtë rast kriter është besnikëria.
Ndërkohë Blushi thotë që Meta duke hyrë në furgon të policisë i ka thënë amanet partinë, pra i takon atij.
Tani kjo nuk zgjidhte kollaj.
Derisa të gjejnë ata udhëheqës, iku gjyqi.
-Kjo qenka tmerr, tha Muli.
Po ai duhet ta kishte ndarë këtë punë siç e ka ndarë Doktori që më ka lënë mua.
Nuk i lihet rastësisë kjo punë.
-Nuk e di, tha Lelo, por kjo tani ndodhi.
Disa demokratëve që u thashë të shkojnë, më thanë nuk shkojmë tek ai legen se na ka arrestuar Doktorin më 1998.
-Duhet të bëjmë diçka, tha Muli.
Nuk është fjala për Ilir Metën, por duhet ta dinë që nuk është aq e lehtë t’i arrestojnë drejtuesit tanë.
Se po nuk bëmë gjë, pastaj ata arrestojnë Doktorin javën tjetër.
Shiko sa të poshtër që janë.
Doktorin e morën të pandehur vjet më 21 tetor, Ilir Metën sivjet më 21 tetor.
Duan të na shtojnë dhe një festë tjetër, se pak festa ka shtuar Edi Rama.