Pas popullaritetit që fitoi videoja e deputetëve të PD-së duke kërcyer vallen nën tingujt e këngës për Sali Berishën, Mulit i lindi një ide interesante.
-Kur të vijmë në pushtet, puna e parë që duhet të bëjmë është t’i shkruajmë UNESCO-s dhe të zëvendësojmë “Kcimin e Tropojës” me “Kcimin për Sali Berishën,” tha ai.
– Do t’i japim argumente që Edi Rama ka dashur të errësojë “Kcimin për Sali Berishën” dhe i ka çuar një dosje me një valle tjetër që quhet “Kcimi i Tropojës.”
-Dakord, tha Lelo, por atë tekstin duhet ta rregulloj pak që të duket më fin.
-Jo, nuk ka nevojë, tha Muli, se ashtu është më origjinal.
-Kam një version të ri, tha Lelo, që përmend edhe deputetët, që të duket edhe nga e ka burimin si Kcim.
-Dakord, tha Muli. Ja të dëgjojmë.
Teksti i “Kcimit për Sali Berishën”:
O bien trumpetat
E po gjëmon vendi
Janë mbledh deputetët
Po feston Kuvendi.
E nisin vallen
E djegin këmishën
I çjerrin fustanet
O për Sali Berishën.
Po prin ky Gaz Bardhi
Po e djeg shaminë
Nëno, do martohem o
Veç me Shqipërinë.
Zili e ka Andia
Duartroket Tasja
O kësaj Sorinës o
Seç po i vjen plasja.
Thërret Ina Zhupa
“Nuk kanë vdekur gratë!”
Cohu moj Linditë
Listat t’i bëjmë zap.
Një burrë po thërret
“Ku je Luan Baçi?!”
Nuk më binden këmbët
Pa mbaruar Gazi.
Kcën vallen Xhelali
Deri sa sytë i skuqen
Për Sali Berishën o
Lë dhe Shamikuqen.
Pak më me përtesë
Po kërcen Agroni
“Unë kaq fuqi kam
Bëni si të doni.”
Në krah të tij o
Po kërcen Jorida
Kërcen Napolonin
Si të ish Berisha.
Hej kceni, çika
Ju burra, kceni
Po Sali Berishën
Dot nuk e gënjeni.
Është Kcimi i Listës
Jo Kcimi i Tropojës
Ndaj bëni kujdes
Deri në fund të lojës.
-E bukur qenka, tha Muli. Po mua s’më ke futur gjëkundi aty?
-Nuk bën të jesh edhe ti, edhe Doktori në një këngë, tha Lelo.
Vetëm atij i këndohet për së gjalli. Të tjerët këndohen pas vdekjes.